Turqia do ta marrë sërish komandën e KFOR-it në Kosovë në tetor 2025

Turqia do ta marrë sërish komandën e KFOR-it në Kosovë në tetor 2025

Turqia do ta marrë për herë të dytë detyrën e Komandës së Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) në tetor të vitit 2025, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi përmes një postimi në rrjetin social X.

Sipas këtij njoftimi, kjo do të jetë hera e dytë që Turqia udhëheq KFOR-in, pas mandatit të saj të mëparshëm njëvjeçar gjatë periudhës tetor 2023 – tetor 2024.

“Vendi ynë, i cili e kreu me sukses detyrën si komandant i Forcës së Paqes të Kosovës (KFOR) në periudhën tetor 2023-2024, do ta marrë këtë detyrë për herë të dytë për një periudhë njëvjeçare, duke filluar nga tetori i vitit 2025”, thuhet në njoftim.

Ministria turke thekson se përzgjedhja e personelit të saj për këtë rol është tregues i rolit efektiv që Turqia ka brenda NATO-s dhe kontributit të saj në sigurinë dhe stabilitetin e aleancës.

“Si një aleat i fortë dhe i besueshëm i NATO-s, vendi ynë do të vazhdojë të kontribuojë për paqen dhe sigurinë e aleancës”, thuhet më tej në deklaratë.

Turqia konsideron se rikthimi i saj në krye të misionit të KFOR-it pas një viti pushim është dëshmi e angazhimit të saj të qëndrueshëm në rajon dhe brenda strukturave të NATO-s.

Aktualisht, komandant i KFOR-it është gjeneralmajori italian Enrico Barduani, i cili e mori detyrën në tetor të vitit 2024 si komandanti i 29-të i këtij misioni paqeruajtës të NATO-s në Kosovë./Telegrafi/

LEXO EDHE:

Back to top button