Ukrainë, situatë e rëndë në Lisiçansk

Ukrainë, situatë e rëndë në Lisiçansk

Forcat ruse nuk kanë kursyer sulmet ndaj qytetit Lisiçansk, ndërsa zyrtarët rajonalë ukrainas, e kanë përshkruar situatën si “shumë të vështirë”. Ky është qyteti i fundit që kontrollohet nga forcat ushtarake të Ukrainës në lindje të shtetit. Inteligjenca britanike ka thënë në përditësimin e saj të fundit se forcat ruse vazhdojnë të bëjnë përparim në tentimet e tyre për rrethim të Lisiçanskut. Udhëheqësi i Luhanskut, Serhiy Hayday, rajon ku gjendet Lisiçansku, ka raportuar po ashtu për rritje të aktivitetit ushtarak. Sipas tij, situata i ngjan asaj të Severodonjeckut, ku forcat ruse kanë shkatërruar ndërtesë pas ndërtese.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka publikuar videon e sulmit rus ndaj qendrës tregtare në Kremençuk.

Zelenski akuzoi Rusinë se ka shënjestruar me qëllim civilët.

“Raketa ruse ka goditur këtë lokacion me qëllim. Me qëllim. Është e qartë se vrasësit rusë kanë pasur koordinatat e sakta. Ata kanë dashur të vrasin sa më shumë njerëz”, deklaroi Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Ndërkohë ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se “ka mundësi reale” që sulmet me raketa në qendrën tregtare në Kremençuk, kanë pasur cak një objekt infrastrukturor në afërsi. Në deklaratën e saj është thënë se mungesa e precizitetit nga ana e rusëve, në kryerjen e sulmeve me rreze të gjatë, ka rezultuar edhe në të kaluarën me një numër të madh viktimash në incidentet në Kramatorsk./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button