UNSHM: Mësimi në shkolla të jetë i kombinuar
Alsat
22.08.2020 15:35
Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme vlerëson që ndarja në dy grupe e çdo klase duke mësuar nga një ditë on-line dhe ditën tjetër me prezencë fizike në shkollë është zgjidhja më e pranueshme për të nisur vitin e ri shkollor në kushte pandemie. Nëse kërkesa nuk miratohet nga Komisioni i sëmundjeve ngjitëse, paralajmërojnë bojkot të mësimit duke u shkyçur nga interneti, por edhe protestë në rrugë.
https://www.youtube.com/watch?v=xD3HIkReCFg
“Ne kemi përgatitur disa protokolle që do tua propozojmë KSI, MASH dhe autoriteteve shëndetësore. Vijat e kuqe të Unionit janë tek shkollat profesionale të mesme, ne nuk do të tolerojmë që autoritetet arsimore të vendosin që praktika në shkollat medicinale apo të muzikës dhe shkollat tjera profesionale të bëhet ‘on-line’. Është e pamundur që praktika të tilla të zbatohet nga distanca- deklaroi Blendi Hodai, Kryetar i UNSHM-së.
Për veteranët e arsimit, mësimi me prezencë fizike nëpër shkolla do të ishte më i pranueshmi, por duke respektuar rekomandimet epidemiologjike. Distanca, higjiena dhe ndryshimi i orareve do të ishin formula e përshtatjes së modelit të ri të mësimdhënës, thotë profesori në pension Avdulla Saqipi.
“Për mendimin tim është gabim që nxënësit e tjerë të zhvillojnë mësimin nga shtëpia dhe nga klasa 1 deri në 3-tën, në shkollë. Çka do të bëjnë ata nxënës që do të jenë në shtëpi, si do të zhvillohet mësimi? A do të ketë sukses ky proces edukativo-arsimor nga distanca, kur e dimë se arsimtarët duhet të jenë afër me nxënësit t’ju shpjegojnë njësitë mësimore, kështu që mendoj se Ministria e ka gabim- pohoi Avdulla Saqipi, Veteran i arsimit.
Një ditë më parë Kryeministri Spasovski, zëvendëskryeministrja Carovska dhe ministrat e Arsimit dhe të Shëndetësisë, Ademi dhe Filipçe, e pranuan sugjerimin e këtij unioni për përfshirjen e tyre në përgatitjet e modelit për t’u arritur zgjidhjet më të mira në interes të nxënësve dhe mësimdhënësve.
Por, deri më tani nga ekzekutivi nuk ka sinjale për ndonjë ndryshim eventual të vendimit paraprak për mësim nga distanca për të gjitha shkollat, në përjashtim të paraleleve nga klasa e parë deri në të tretën dhe të shkollave me më pak nxënës.
Përgatiti: Adnan Qaili