Vaksina kundër Covid-19, nuk dihet sasia e saktë dhe data e arritjes!

Ende nuk është e qartë se kur saktë do të arrijnë vaksinat e para antikovid në vend. Autoritetet shëndetësore vazhdojnë të përmendin tre mujorin e parë të vitit 2021, por dallimi në mes janarit dhe marsit mbetet hendek i thellë në pikun e valës së dytë të pandemisë. Ndërkohë që numërojmë ditët e fundit të dhjetorit, nga Ministria e Shëndetësisë thonë vaksinat nga Bullgaria dhe eventualisht nga Greqia pritet të arrijnë në janar. Prioritet do të kenë 10 mijë doktorët dhe personeli mjekësor, të cilët janë në vijën e parë të frontit.

Ministria e Shëndetësisë:

“Në janar pritet të marrim donacionin e premtuar nga Bullgaria dhe eventualisht nga Greqia, prej dozave të siguruara për shtetet e BE-së. Përmes Polonisë, do të sigurojmë një sasi dozash të tjera nga pakoja e 100 milion vaksinave të siguruara për shtetet jo anëtare evropiane. Metoda ‘Covax’ mbetet e sigurte për të arritur deri në mars për 400 mijë qytetarët tanë, të cilët janë në listë me prioritet.”

Përderisa vendet e tjera kanë filluar ose janë duke bërë përgatitjet e fundit për vaksinën antikovid duke e ditur sasinë e dozave dhe datën kur do të fillojë vaksinimi, nga opozitarja VMRO DPMNE akuzojnë autoritetet shëndetësore se po japin vetëm deklarata paushallë në pikun e pandemisë.

Së pari, do të merr Maqedonia dhe qytetarët vaksinën përmes Covax, sa doza dhe kur? Së dyti, a bisedohet me ‘Pfizer’ dhe ‘Astra&Zeneca’ ose me ndonjë prodhues tjetër, a kanë takime, a janë marrë vesh diçka? Së treti, kur do të fillojë loja me donacionet, Filipçe duhet të tregoj kush nga fqinjët do të dhurojë vaksina sa doza dhe kur do të arrijnë të njëjtat?”-tha Marija Andonovska, VMRO-DPMNE.

Ndërkaq, nga vendet e rajonit sot filloi vaksinimi në Serbi. 4,875 dozat e para të siguruara nga “Pfizer” iu paraprinë edhe 20 mijë dozave të tjera që do të arrijnë në janar tek fqinji verior. Serbia ka nënshkruar marrëveshje direkte me këtë kompani farmaceutike për 1,8 milion vaksina antikovid. Bullgaria, Greqia, Kroacia dhe Sllovenia me vaksinim do të fillojnë nga 27 dhjetori së bashku me të gjitha vendet e BE-së, fillimisht me nga 5 mijë doza për secilin shtet. Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina janë në pritje që përmes sistemit “Covax” vaksinat e para t’i marrin në mars. Më së shumti vaksina në rajon ka porositur Turqia, 50 milion doza nga vaksina kineze “KoronaVac”. Nga porosia e parë prej 3 milion dozash, Ankaraja do ta nisë zbatimin para Vitit të Ri.

 

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button