Vaksinimi kundër Covid-19, Shqipëria e dyta në Rajon dhe e fundit krahasuar me vendet e BE

Më shumë se 186 milionë doza të vaksinave kundër Covid-19 janë administruar në 82 vende të botës që nga nisja e procesit e deri më tani. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Bloomberg”, rreth 6,34 milionë doza vaksine kundër Covid-19 administrohen çdo ditë.

- Advertisment -

Në botë, kryeson për vaksinimin Izraeli, me 78 doza për 100 banorë, e ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe me rreth 52 doza për 100 banorë.

Vaksinimi kundër Covid-19 në Shqipëri
Në Shqipëri, nisi më 11 janar vaksinimi kundër Covid-19, 308 ditë pas identifikimit të dy rasteve të para me virusin Sars-Cov-2 dhe 15 ditë pas vendeve të Bashkimit Europian. Në stadiumin “Air Albania” u vaksinuan 48 mjekë që shërbejnë në spitalet Covid. Shefja e Shërbimit të Spitalit Infektiv, Najada Çomo dhe kryeministri Edi Rama ishin të parët që morën vaksinën e Pfizer/BionTech në praninë e kamerave.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që prej 11 janarit, kur edhe nisi procesi, e deri më 17 shkurt, janë vaksinuar me dozën e parë 1090 personel shëndetësor, 611 me dozën e dytë.
Gjithashtu, janë vaksinuar edhe 46 të moshuar në Shtëpitë e të Moshuarve, duke e çuar në total numrin e vaksinave të administruara, në 1747.

Si krahasohet Shqipëria me vendet e rajonit?
Në Rajon, Serbia ishte vendi i parë që nisi procesin e vaksinimit kundër Covid-19. Ajo nisi procesin e vaksinimit kundër Covid-19, më 24 dhjetor 2020, 3 ditë para vendeve të Bashkimit Europian. Serbia siguroi vaksina nga BioNTech-Pfizer dhe Sputnik V, vaksina ruse. Më vonë, Serbia siguroi edhe vaksinën kineze.
Deri më tani, Serbia ka vaksinuar më shumë se 817 000 persona duke u bërë vendi i tretë pas Britanisë dhe Maltës në Europë për numrin më të lartë të dozave të administruara për çdo 100 banorë.
Maqedonia e Veriut nisi më 17 shkurt procesin e vaksinimit kundër Covid-19 me 4680 dozat e Pfizer/BioNtech të dhuruara nga Serbia, ndërsa Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova pritet ta nisin në ditët në vijim.

Shqipëria në raport me vendet e Bashkimit Europian
Procesi i vaksinimit kundër Covid-19, në 27 vendet e Bashkimit Europian nisi më 27 dhjetor 2020, 289 ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandeminë Covid-19. Sipas të dhënave nga Ministritë e Shëndetësisë, të përpunuara nga “Our World in Data”, rezulton se, Malta kryeson si vendi me më shumë vaksina të kryera për çdo 100 banorë, deri më 15 shkurt.
Malta rezulton të ketë kryer 12,15 doza vaksine kundër Covid-19 për 100 banorë. Pas saj renditen Danimarka me 7,28 doza për 100 banorë, Qipro me 6,36 doza për 100 banorë e më pas Rumania me 6,22 doza për 100 banorë. Bullgaria është vendi me numrin më të ulët të vaksinave të administruara për 100 banorë me 1,17 të tilla.

Shqipëria renditet si vendi i dytë me numrin më të lartë të dozave të vaksinave kundër Covid-19 të administruara e krahasuar me vendet e rajonit me një raport 0,06 për 100 banorë, dhe e fundit në raport me vendet e Bashkimit Europian.

Kryeministri Rama deklaroi dje se brenda 14 muajsh do të kryhet i gjithë procesi i vaksinimit në vend, ku sipas tij, do të kryhen 300 deri në 500 vaksinime në ditë./A2CNN

LEXO EDHE:

Back to top button