Varianti i ri i virusit korona, ndalohen fluturimet nga Britania

Deri në fund të vitit ndalohen të gjitha fluturimet nga Britania e Madhe drejt vendit tonë për shkak të rrezikut nga varianti i ri i virusit korona. Qeveria gjithashtu obligoi autoritetet e rendit dhe të shëndetësisë që të gjithë udhëtarët, të cilët hyjnë në vend nga çfarëdolloj i transportit prej Ishullit Britanik, të hyjnë në izolim 14 ditor në kushte shtëpiake. Ndonëse në monitorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit ende nuk ka njoftime se janë anuluar fluturimet nga Londra drejt Shkupit, nga Kompania TAV kumtuan se do të respektojnë vendimin për të mbrojtur shëndetin publik.

TAV AIRPORT SKOPJE

“Fluturimet nga Aeroporti Luton i Londrës drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit ishin të parapara nesër më 22, më 24 dhe 29 Dhjetor. Kur një fluturim anulohet, kompanitë ajrore janë ato që informojnë udhëtarët, të cilët kanë rezervuar biletë aeroplani për këto fluturime konkrete”

Fillimisht ishin Belgjika dhe Holanda që vendosën ndalime fluturimi me Britaninë e Madhe. Tanimë krahas Gjermanisë e Francës, edhe Irlanda, Çekia, Letonia Kroacia dhe Bullgaria kanë marrë vendime për ndalimet e fluturimit. Edhe Italia e Austria kanë bërë të ditur, se do të marrin masa përkatëse.

Ekzekutivi ynë këto vendime i mori në bazë të rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive, të cilët vlerësuan se rreziku i versionit të ri të koronavirusit është më shumë se 70% lehtësisht i transmetueshëm.

Komisioni për Sëmundje Infektive

“Komisioni për Sëmundje Infektive propozoi 14 ditë vetë-izolim për udhëtarët nga Britania e Madhe. Këtë vlerësim e bëmë pas informacionit se mutacioni i ri i CoVid-19 është përhapur në Angli dhe sipas analizave epidemiologjike është shumë infektues. Tani për tani, Komisioni nuk e shqyrtoi mundësinë e vënies së PCR testit si obliguese për të hyrë në vend”

Kujtojmë që më 26 shkurt pacientja zero nga CoVid-19 ishte udhëtarja dibrane e ardhur nga Italia. Edhe atëherë shteti ndërmori vendime për vetëizolim dhe kamera termale nëpër aeroportet e vendit, por gjithsesi virusi korona u përhap shpejtë në vend.

Ndërkohë koronavirusi në 24 orët e fundit mori jetën edhe të 22 pacientëve. U regjistruan 129 raste të reja prej 591 testeve të bëra. 1,122 pacientë u shëruan në ditën që po lëmë pas. Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve ka arritur në 78,434 qytetarë, prej të cilëve 20,965 raste aktive. Virusi korona shkaktoi vdekjen e 2,314 pacientëve, dhe 55,155 të tjerë ia dolën si të shëruar.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button