Vendimi për pasuesin e Kocevskit shtyhet për të hënën

Vendimi për pasuesin e Kocevskit shtyhet për të hënën

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Për shkak të mungesës së njërit prej anëtarëve, Këshilli i Prokurorëve Publik as sot nuk e zgjodhi ushtruesin e detyrës kryeprokuror pas dorëheqjes së Kocevskit. Seanca u shty për ditën e hënë. Në mbledhjen e Këshillit mungoi prokurorja Jelena Dogazanska Koleva, me çka anëtarët e tjerë vendosën që zgjedhja të bëhet me përbërje të plotë të Këshillit.

“Ne nuk kemi pajisje teknike ndihmëse që ta kyçim kolegen tonë për fat të keq. A do të mundej eventualisht të shtyhet një ditë apo dy, që të vijë dhe kolegja që kur të del këshilli me qëndrim zyrtar, çdo anëtarë të ketë thënë mendimin e vet”, tha Ermon Neziri – Anëtar i këshillit të prokurorëve.

“Meqenëse bëhet fjalë për rast serioz, moment serioz, do të ishte mirë që si anëtarë të këtij këshilli të japim pikëpamjet tona për kandidatët që do të propozohen për këtë pozicion, e ndoshta nuk do të ishte i keq propozimi të presim edhe 2,3 ditë”, u shpreh Ardian Demiri – Anëtar i këshillit të prokurorëve.

Sipas Ligjit për Prokurori Publike, prokurori i përkohshëm publik patjetër të zgjidhet nga radhët e prokurorëve në Prokurorinë Republikane. Personi që do të caktohet, do ta udhëheqë institucionin derisa Kuvendi të zgjedhë kryeprokurorin e ri por jo më gjatë se gjashtë muaj. Emrat e mundshëm që do të zëvendësojnë Kocevskin janë Zllatko Bikovski dhe Anita Topollova Isajllovska.

Juristi Ibraim Bajrami në intervistë për Alsat, theksoi se për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, Qeveria emrin e propozuar duhet ta dorëzojë deri te këshilli që të japë mendim. Afati për dhënien e mendimit është 15 ditë e nëse nuk jepet, atëherë afati vazhdohet edhe për 15 ditë të tjera. Nëse përsëri nuk jepet mendim, atëherë kjo do të llogaritej sikur mendim pozitiv, sqaroi juristi Bajrami.

“Propozimi i Qeverisë deri në Kuvend me emrin e përcaktuar, po se pati aminin ose mendimin pozitiv të këshillit të prokurorëve ai nuk mund të zgjidhet dhe e gjithë kjo procedurë e konkurrimit përsëritet. Është vet këshilli i prokurorëve që duhet ti dalë zot vetvetes dhe ti japë mendim pozitiv kandidatit që është me imazhin dhe kriterin më a-politik”, u shpreh Ibraim Bajrami – Jurist.

Ndërkohë në Kuvend ende nuk ka filluar procedura për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Që të hapet procesi, nevojitet të publikohet shpallja. /Alsat.mk

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button