Veriu, sfidë edhe për regjistrimin e popullsisë

Veriu, sfidë edhe për regjistrimin e popullsisë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se regjistrimi i popullsisë ndryshe nga komunat e tjera në vend, në pjesën veriore të Kosovës do të jetë sfidë, për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave.

Ushtrues i detyrës së kryeshefit kryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha derisa tregon për ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë, thekson për KosovaPress se për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave në veri nuk janë bërë propozimet e anëtareve të komisionit me kohë, dhe kjo ka pamundësuar që të krijohen komisionet komunale të cilat sipas Ligjit duhet të jenë aktive gjashtë muaj para datës së regjistrimit.

Kryetarët e katër komunave veriore patën dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, derisa zgjedhjet në këto komuna ishin shtyrë deri në prill të këtij viti, dhe kryetarët e rinj nuk janë betuar ende.

“Aktualisht, ASK i ka kryer të gjitha aktivitetet, mirëpo situata në katër komunat veriore të Kosovës ka bërë që ne duhet ta amandamentojmë Ligjin për regjistrimin e popullsisë, pasi në ligj parashihet që gjashtë muaj para datës së regjistrimit të popullsisë duhet që kryetari i komunës të bëjë propozimin e anëtarëve të komisionit komunal të regjistrimit, pasi në këto katër komuna kanë dhënë dorëheqje më herët kryetaret e komunave dhe nuk janë propozimet me kohë të jemi në përputhje me ligjin për regjistrimin e popullsisë”, thotë Berisha.

Berisha thotë se ligji shumë shpejtë do të dërgohet për amandamentim në mënyrë që të krijohen komisionet në këto katër komuna.

“Konsiderojmë se ligji shumë shpejtë do të dërgohet për amandamentim që do t’i parasheh rastet që këta gjashtë muaj nuk vlejnë për zgjedhjet lokale, sepse në ligj parashihet që gjashtë muaj para regjistrimit nuk duhet të ketë as zgjedhje lokale dhe zgjedhje qendrore, dhe ne kishim zgjedhjet lokale në katër komunat. Tash ligji duhet ta amandamentohet që në përjashtime kryetarët e komunave ose në rastet ku ndonjë komunë e zgjedh ndonjë kryetar tjetër, do të thotë në zgjedhje tjera, atëherë mund të ketë përjashtime dhe do të amandamantohet që të jemi në përputhje me ligjin që të krijohen komisionet komunale edhe në këto katër komuna të Kosovës të cilat ende nuk i kanë krijuar. Ndryshe, komunat tjera kryetarët i komunave i kanë propozuar komisionet, dhe kryesuesi i komisionit qendror me vendim i ka themeluar të gjitha komisionet për regjistrimin e popullsisë”, thotë mes tjerash Berisha.

Procesi i regjistrimit të popullsisë parashihet të nis më 1 shtator të këtij viti i cili do të zgjasë deri më 16 tetor.

LEXO EDHE:

Back to top button