Vetëm 18% e premtimeve qeveritare të realizuara pas dy vitesh mandat
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Vetëm 18 për qind e premtimeve qeveritare janë realizuar plotësisht pas dy vitesh mandat, ndërsa 30 për qind janë në rrugë drejt realizimit. 39 për qind e premtimeve nuk tregojnë asnjë përparim, 6 për qind po lëvizin në drejtim të kundërt dhe për 7 për qind mungojnë të dhënat për vlerësim. Sipas të dhënave të Finance Think, arsimi dhe shkenca shënojnë rezultatet më të mira, me 32 për qind të premtimeve të realizuara plotësisht. Ndërkaq, barazia gjinore mbetet fusha më e dobët, pasi për të dytin vit radhazi nuk ka asnjë premtim të realizuar dhe asnjë në proces realizimi.
“Shkalla e ulët e realizimit të premtimeve, e cila ka qenë karakteristikë si e qeverive të mëparshme ashtu edhe e kësaj aktuale, në masë të madhe i atribuohet faktit se gjatë hartimit të programeve politike shumë shpesh premtimet vetëm renditen në mënyrë taksative, pa u kushtuar vëmendje realizueshmërisë së tyre ose implikimeve fiskale që ato mund të kenë. Pikërisht këtu paraqitet mospërputhja dhe mungesa e koherencës së programit në tërësi”, deklaroi Blagica Petreski, Finance Think
Edhe në fushën e rinisë, qeveria ka shënuar ngecje, veçanërisht në aspektin e punësimit. Sipas hulumtimeve, të rinjve nuk u ofrohen mundësi të mjaftueshme dhe mekanizma efektivë për pjesëmarrje të mirëfilltë në vendimmarrje dhe në jetën publike.
“Nuk mund t’i anashkalojmë premtimet që nuk janë realizuar fare, respektivisht ato ku ekziston rreziku i kthimit në drejtim të kundërt. I tillë është premtimi për krijimin e 70 mijë vendeve të reja të punës për të rinjtë. Megjithatë, në vitin 2025 shkalla e punësimit të të rinjve ishte 36,1 për qind, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2026 ajo ka rënë në 34,6 për qind. Ngjashëm shqetësuese është edhe gjendja në lidhje me premtimin për 5 mijë trajnime në fushën e aftësive IT gjatë këtyre katër viteve. Në vitin 2024 janë trajnuar 735 të rinj, ndërsa në vitin 2025 nuk është realizuar asnjë trajnim” , tha Risto Saveski, Kryetar i Forumit Arsimor Rinor
Ky hulumtim është realizuar nga Finance Think në bashkëpunim me Qendrën Maqedonase për Edukim Qytetar, Shoqatën Mjekësore të Maqedonisë, Shoqatën për Bashkëpunim Ndërsektorial dhe Forumin Rinor Arsimor, në kuadër të kornizës së përmirësuar të monitorimit KOMPAS për ndjekjen sistematike të zbatimit të premtimeve qeveritare për periudhën 2024–2028.








