Parlamenti Evropian miratoi raportin për vendin / Nuk u pranua amendamenti i eurodeputetit Vajc për “injorimi” e punës së komisionit të historisë
Gazetare: Fatlume Dervishi
Parlamenti Evropian nuk pranoi heqjen e Protokollit të dytë të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë nga Rezoluta, gjë që ishte propozuar nga raportuesi për Maqedoninë, eurodeputetoi Tomas Vajc. Kjo do të thotë se arritja e komisionit të përbashkët të historisë mes Shkupit dhe Sofjes mbetet vendimtare në rrugën integruese të vendit.
Ligjvënësit evropianë megjithatë miratuan raportin për Maqedoninë në të cilin, sipas eurodeputetit Tomas Vajc theksohet ecja përpara e vendit drejt BE-së, por edhe nevoja e reformave më te thella në fusha të caktuara.
“Raportin thekson gjithashtu disa reforma të nevojshme gjë që nuk është e habitshme sepse vendi nuk i ka filluar akoma negociatat, kapitujt e parë nuk janë hapur akoma. Kjo vjen me disa pika në raport që fokusohen në çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirisë së mediave, çështjes së ambientit, pakicave por edhe për të drejtat e grave dhe të drejtat gjinore” tha Tomas Vajc, Eurodeputet, raportues për Maqedoninë.
Vajc tha se raporti konfirmon se parakushti i vetëm i nevojshëm për të filluar bisedimet e anëtarësimit është amendamenti kushtetues por se sipas tij, aty qartë thuhet se lëvizjet bilaterale nuk duhet të bllokojnë negociatat me BE-në.
“E kuptoj pozitën e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht të një pjesë të qeverisë atje që kanë frikë se pas këtij kushti do të vijë një kush tjetër sepse ky vend është në pritje të anëtarësimit për 23 vjet. Duhet të them se rruga drejt BE-së do të kërkojë shumë ndryshime kushtetuese dhe shumë ndryshime ligjore por unë besoj se ne nga ana e BE-së duhet të sigurojmë ndonjë lloj parashikueshmërie për këtë proces dhe për këtë në raport përmendet dhënie fund unanimitetit për vendimet e ndërmjetme në rrugën drejt BE-së. Po unanimitet për të filluar negociatat, po unanimitet për t’u bërë anëtare, por jo si e kemi tani që për momentin janë diku 100 vendime të nevojshme unanime deri në anëtarësimin e plotë që nuk ndihmojnë në ndërtimin e besimit” tha Tomas Vajc, Eurodeputet, raportues për Maqedoninë.
Eurodeputeti Vajc kishte përgatitur raportin duke kërkuar me amendamentin që nuk ju pranua fshirjen e paragrafit 73 nga raporti. Sipas mediave bullgare, ky paragraf i referohet Protokollit të Dytë të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe kërkon që Komisioni i Përbashkët Historik të arrijë rezultate konkrete bazuar në burime historike të verifikuara. Sipas kritikëve bullgarë, fshirja e këtij raporti do të nënkuptonte zbutje të detyrimeve të Shkupit ndaj Sofjes. Eurodeputeti bullgar Ivaylo Valçev e akuzoi Vajcin se po përpiqet të paraqesë një tekst që u pëlqen autoriteteve në Maqedoninë e Veriut dhe se dëshiron të heqë referencat ndaj elementeve kryesore të marrëveshjes me Bullgarinë.








