(Video) Kurti: Vuçiq dhe Petkoviq i shkaktuan tensionet në veri

(Video) Kurti: Vuçiq dhe Petkoviq i shkaktuan tensionet në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, janë përgjegjësit kryesorë për situatën në veri të Kosovës.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar më 31 korrik rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – por edhe pjesë të tjera në veri të Kosovës.

Sipas Kurtit, tensioneve në veri iu paraprinë deklaratat nxitëse të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë.

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë”, ka deklaruar kryeministri Kurti përmes një video-mesazhi në Facebook.

Kurti ka thënë më tej se Qeveria është e përkushtuar për të ofruar ligjshmëri dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim në mbarë vendin.

“Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jenë të vëmendshëm dhe të informohen nga kanalet zyrtare të autoriteteve të Kosovës.
“Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria e Kosovës ka thënë se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritet të hyjë në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave ma targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjasë deri më 30 shtator.
Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës nuk janë pritur mirë në Beograd, teksa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë të shtunën se nëse Prishtina nuk tërhiqet nga këto dy vendime, atëherë zyrtarët serbë në Kosovë do të nisin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia më 2013 kanë arritur Marrëveshjen fillestare për Asociacionin, ndërkaq më 2015 palët kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e Asociaicionit.

Po atë vit, Gjykata Kushtetuese gjeti se 23 pika të marrëveshjes ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, që tha se mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Serbia insiston që të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin, ndërkaq kryeministri Kurti vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik./REL

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button