Vijon afati për aplikimet e mësimdhënësve për t’u bërë mentorë

Mësimdhënësit e shkollave filore kanë edhe 10 ditë afat për t’iu përgjigjur thirrjes publike të Ministrisë së Arsimit për t’u avancuar me titullin “mentor”. Tashmë kanë konkuruar dhjetëra mësues. Suzana Jakupi Kurbardoviq është në mesin e tyre. Ajo e vlerëson pozitivisht këtë nismë dhe shton se është koha e fundit të bëhen kualifikime në këtë profesion. Mirëpo, Kurbardoviq vlerëson se një mentor nuk është i mjaftueshëm në shkollat me numër të madh të mësimdhënësve.

Nuk është në rregull një shkollë e cila ka 20 mësimdhënës dhe një shkollë e cila ka 91 mësimdhënës të ketë një mentor. Kemi shkolla ku ndoshta ka edhe 10 mësimdhënës, përsëri do të kenë një arsimtar mentor. Unë mendoj se sipas numrit të mësimdhënësve në shkollë duhet së paku dy apo tre arsimtarë mentorë të ketë në shkollën tonë “25 Maji”, e dini jemi shkollë e madhe me mbi 1600 nxënës me mbi 90 të punësuar’ Suzana Jakupi Kurbardoviq, mësuese.

 Mësimdhënësit e interesuar mund të parashtrojnë kërkesë për t’u avancuar nëse kanë së paku shtatë vjet përvojë pune si mësimdhënës dhe janë të punësuar me kohë të pacaktuar. Por, siç tha Kubardoviq formulari për aplikim mund të bëhej më i thjeshtësuar sepse në çdo fushë kërkohen të plotësohen thuajse të njëjtat gjëra.

Këtu hasa në një problem se kur arrita në fushën e tretë mu kujtua se diçka nuk kam ngjitur në fushën e parë.  Është dashur të bëj pastrimin e dokumenteve që kam ngjitur ose që kam shkruar që të rikthehem në fushën e parë. Ka mundur të jetë diçka shumë më e thjeshtë, t’i ketë tre-katër fusha sepse në të gjitha fushat thuajse përsëriten gjërat e njëjta- pohoi Suzana Jakupi Kurbardoviq, mësuese.

Parashtrimi i kërkesave për titullin mentor mund të bëhet deri më 21 janar. Çdo kërkesë e dorëzuar pas kësaj date nuk do të shqyrtohet dhe nuk do të rangohet. Kërkesat do të shqyrtohen më së voni deri më 10 shkurt. Roli i mësimdhënësve mentor do të jetë udhëzimi dhe këshilldhënia për të punësuarit fillestar në shkolla.

Melihate Rustemi                        

LEXO EDHE:

Back to top button