Vijon gjyqi për tragjedinë në “Pulse”
Petar Çaushevski
Aleksandar Karadakovski, nuk kishte sigurim shëndetësor dhe pa vullnetin e tij ishte emëruar si drejtor i personit juridik “MMM kafe”, që menaxhonte diskotekën “Puls”, ku nga zjarri tragjik humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. I ati para gjykatës deklaroi se Aleksandri kishte zbuluar se nuk kishte sigurim shëndetësor, kur kishte shkuar te mjeku.
“Më befasoi dhe e pyeta nëse e dinte cilat janë përgjegjësitë e drejtorit, më tha: jo, ato i kryejnë Deko dhe Mihajlo. Më tregoi se Deko e kishte lutur sepse nuk kishte kë të emëronte, në mënyrë që të mos i skadonte licenca”, deklaroi Nasko Karadakovski, babai i Aleksandrit.
– Nuk kishin kë të emëronin që të mos u skadonte licenca
I ati i Aleksandrit deklaroi se biri i tij kurrë nuk kishte qenë pronar, edhe pse në aktakuzë figuron si pronar dhe drejtor. Ai konfirmoi se i biri kishte përmendur se në “Puls” ishte bërë renovim në vitin 2024.
“Atëherë ishte thirrur të ndihmonte për disa punë fizike në “Puls”, për disa punime ndërtimore, ku edhe ishte lënduar dhe kishte shkuar te mjeku”, tha Nasko Karadakovski, babai i Aleksandrit.
– Kishte ndihmuar në renovimin e “Puls”-it
Në seancën gjyqësore nuk u paraqit dëshmitari i dytë, edhe pse ishte ftuar rregullisht. Prokurori publik informoi se nuk ka marrë njoftim, nëse mungesa është e arsyetuar apo jo, ndaj gjykata reagoi se do të duhet të lëshojë urdhër për sjelljen e tij, nëse dëshmitari nuk paraqitet. Seanca e ardhshme gjyqësore për tragjedinë në diskotekën “Puls” është caktuar për të enjten./Alsat.mk.








