Vijon shtimi i kapaciteteve spitalore për pacientët me Covid-19

Në 24 orët e fundit në kovid qendrat e Shkupit janë hospitalizuar edhe 41 pacientë për shkak të komplikimeve nga virusi korona. 10 prej tyre në Klinikat interne, 10 në Spitalin “8 Shtatori” dhe 21 në Klinikën Infektive. Në kryeqytet gjithsej 394 pacientë kurohen në kushte spitalore, shumica prej tyre në oksigjeno terapi, thonë autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë
Në Klinikën Infektive 163 pacientë
Në Klinikën e Dermatologjisë 24 pacientë
Në Klinikën e Neurologjisë 34 pacientë
Në Institutin e TBC-së 53 pacientë
Në Spitalin “8 Shtatori” 79 pacientë
Në Institutin KOZLE 41 pacientë

Nga ky dikaster njoftojnë se në vazhdën e shtimit të kapaciteteve spitalore, që sot janë të gatshme edhe dy kovid qendra të reja, Klinikat e Gastros dhe e Nefrologjisë në Shkup, por akoma pa pacientë.

Tani për tani ka vende të lira në repartet e tjera, në katin e tretë të Klinikave Interne e gjitha është e gatshme, e pajisur një pjesë me oksigjen dhe tjera me koncentrator. Aktualisht nuk ka nevojë, megjithatë ekipi është i gatshëm për të pranuar pacientë edhe në atë pjesë të godinës – u shpreh Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Ndërkaq, sot edhe një donacion i Ambasadës Amerikane në Shkup, ndau 800 mijë dollarë për shtimin e kapaciteteve spitalore për pacientë me sëmundje hematologjike.

Deri më tani klinika jonë kishte kapacitet të bëj 50-60 transplante gjatë një viti, veç asaj pacientët nga rajoni që kërkonin ndihmë shëndetësore tek ne shumë shpesh nuk mund ti pranonim sepse nuk kishim as hapësirë e as kushte. Tani me ndërtimin e pjesës së re, ne bëhemi qendër rajonale dhe dobi të drejtpërdrejtë nga ky donacion do të kenë njëqind shtetas tanë dhe 20 pacientë nga rajoni – deklaroi Irina Panovska-Stravridis, Drejtoreshë e Klinikës së Hematologjisë.

Adaptimi i reparteve spitalore në kovid qendra erdhi pas dështimit të projektit për vendosjen e 16 spitaleve modulare nëpër gjithë vendin. Megjithëse pushteti akuzoi opozitën për ngecjen e procedurave për marrjen e fondeve nga Banka Botërore, Filipçe njoftoi se deri në fund të vitit dy ose tri struktura të barakave do të realizohen. Aktualisht, 10% e të sëmurëve kurohen në kushte spitalore.

Adnan Qaili

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button