Viti i Ri, spektakël fishekzjarrësh në Tiranë

Viti i Ri, spektakël fishekzjarrësh në Tiranë

Gazetare: Melihate Rustemi

Fishekzjarrët shumë ngjyrëshe i dhanë një pamje të veçantë ndërrimit të motmoteve në Kosovë dhe Shqipëri. Në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, mijëra qytetarë të trojeve të ndryshme i uruan mirëseardhje vitit 2024 me shpresë për një jetë më të mirë. Kreu i Tiranës, Erion Veliaj tha se viti që lë pas Shqipëria ishte vit i rimëkëmbjes dhe për këtë kontribut të veçantë kanë dhënë policia, zjarrfikësit dhe punonjësit shëndetësor.

“Kemi kaluar një situatë shumë të vështirë me tërmetin dhe pandeminë, me krizën e luftës por ne në Tiranë nuk dukemi kur rrëzohemi, por dukemi kur ngrihemi më të fortë dhe më të dashur se kurrë. Vitin tjetër Tirana do të jetë presidenca e B 40. Të gjithë bashkitë e rajonit do të mblidhen në Tiranë, për ta kthyer në një histori suksesi. Dhe në 2025 Tirana do të jetë kryeqyteti mesdhetar i kulturës. Dua që të gjithë të mobilizohemi për një mikpritje të jashtëzakonshme dhe për t’ ju treguar të gjithë turistëve që vijnë në Tiranë që Tirana ka një zemër të madhe dhe i pret të gjithë”, tha Erion Veliaj, kryetar i Tiranës.

Ndërsa festa vazhdoi gjithandej Shqipërisë, në jetë erdhi foshnja e parë djalë për vitin 2024. Kryeministri Edi Rama publikoi foton e parë të foshnjës duke i uruar jetë të gjatë e të mbarë.

Edhe në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës atmosfera e pritjes së Vitit të Ri ishte e bukur. Qytetarë të shumtë kishin vendosur që ndërrimin e viteve ta presin në ambient të hapur për të shijuar spektaklin e fishekzjarrëve. Edhe në Kosovë, me të hyrë në vitin 2024 erdhi në jetë foshnja e parë djalë.

“E kemi Rajanën pesë minuta para mesnatës dhe e kemi Naronin pesë minuta pas mesnatës. Vizituam të dy nënat, edhe foshnjat edhe nënat janë mirë shëndoshë e mirë. Ju dëshiruam jetë të gjatë, shumë shëndet, mbarësi e lumturi”, u shpreh Albin Kurti, kryeministër.

Si zakonisht, ndërrimi i viteve shoqërohet edhe me të lënduar nga mjetet piroteknike dhe armët e zjarrit. 23 pacientë të kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Drejtori i Emergjencës, Naser Syla tha se gjithsej trajtim kanë kërkuar 249 pacientë brenda 24 orëve. 2 prej tyre janë pranuar ne Klinikën e Oftalmologjisë, 1 në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe 1 ne Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, ndërsa të tjerë janë lëshuar për në shtëpi, pas trajtimit./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button