Gjykata Themelore në Pristinë ka marrë vendim që t’iu vazhdojë masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës, dhe Granit Plavës të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.
Lajmin për KosovaPress, e ka konfirmuar bashkëpunëtorja profesionale nga zyra e kryetares së kësaj gjykate, Medina Gashi.
“Ju informoj se të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj me Aktvendimin e datës 23.08.2024, e cila masë do t’iu llogaritet nga data 26.08.2024 deri me datë 25.10.2024, nën kushtet ligjore të parapara në KPPK”, ka thënë Gashi.
Murselit, Kokallës e Plavës, fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.








