Gazetare: Ilirida Sulejmani
Policia akoma nuk i ka arrestuar të dyshuarit për vrasjen në Duqanxhik të Shkupit më 6 shtator të këtij muaji. Gati një javë që kur MPB-ja njoftoi se janë ngritur dy kallëzime penale, por të dyshuarit R.K dhe I.S akoma ndodhen në arrati. Ditë më parë, ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski deklaroi se për të mbeten akoma të panjohura rrethanat se si i dyshuari i parë që po vuante dënim me burg, doli nga masa dhe kreu vepër tjetër penale.
Sipas hetimeve të policisë dhe versionit zyrtarë të MPB-së, natën e 6 shtatorit, dy persona të cilët ndodheshin në një motoçikletë, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një grupi personash, ku në ato momente, një nga plumbat goditi 26-vjeçarin A.M i cili nuk i mbijetoi plagëve në kokë.
Burime të Alsat bëjnë të ditur se natën e krimit, policia kishte kryer bastisje edhe në një lokacion në Haraçinë, por i kërkuari nuk ishte kapur. Sipas të njëjtave burime, bëhet fjalë për I.S, i njohur për policinë në rrethana ku në një përleshje të armatosur, jozyrtarisht ishte vrarë një familjar i tij.
Grupi hetimor është duke hetuar në disa pista për motive të ndryshme./Alsat.mk








