Zaev, Kurti e Abazoviç adresojnë problemet e rajonit

Një bashkëpunim më i madh mes vendeve të Ballkanit Perëndimor do ta përshpejtonte zhvillimin dhe eurointegrimin e tyre. Këtë mesazh e dhanë pjesëmarrësit në Samitin Ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Zaev deklaroi se dialogu dhe marrëveshjet janë dëshmuar si zgjidhje në shumë raste dhe shpreson kjo të ndodhë edhe në rastin me Bullgarinë.

Mendoj se shanset pas zgjedhjeve në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut do të rriten për 50%. Madje nuk është patjetër as të ketë qeveri por vetëm të ketë konfirmim se së shpejti nuk do të kenë zgjedhje të tjera. Politikanët janë shumë specifikë. Ne vazhdojmë bisedimet dhe kemi disa tema përpara nesh që i diskutojmë. Ka një zgjidhje. Besoj se zgjidhja mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të jetë një inkurajim I madh për gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Në Samitin e mbajtur në Shkup, kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi nevojën e sundimit të shtetit ligjor në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ne kemi nevojë për demokraci funksionale dhe sundim të shtetit ligjor kundër autokracisë dhe korrupsionit. Jemi dëshmitar, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por edhe në Bashkimin Evropian, tendenca të fuqishme për t’u tërhequr nga vlerat kyçe dhe parimet demokratike. Në BE kjo shihet si demokraci joliberale kurse në Ballkanin Perëndimor, si demokraci jostabile. Por ajo që kanë të përbashkët është sulmi ndaj vlerave si liria e shprehjes, liria e mediave dhe pavarësia e gjyqësorit”, pohoi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Nacionalizmi, demokracia e pazhvilluar dhe drejtësia selektive, sipas zv/kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, janë problemet kryesore të rajonit.

Njerëzit duan të jenë të lëvizshëm dhe ne duhet t’ua mundësojmë këtë. Ne duhet t’i bëjmë kufijtë tanë të padukshëm si në BE. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë gjenerator të shumë aspekteve negative në rajon. Ne duhet të kuptojmë se pa mënjanimin e këtyre aspekteve negative në vendet tona ne nuk mund të kemi institucione profesionale, të pavarura dhe që të sigurojnë kushte më të mira jetesa për njerëzit tanë”, theksoi Dritan Abazoviç, zv/kryeministër i Malit të Zi.

BE-ja mbetet e angazhuar për Ballkanin Perëndimor, porositi ambasadori i BE-së në Shkup Dejvid Gir.

Sfida më e ngutshme është që BE-ja zyrtarisht të fillojë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet i kanë zbatuar reformat dhe BE-ja është angazhuar për këtë që nga marsi i vitit 2020. Gjithashtu është edhe në interesin e BE-së që ta mbajë fjalën prandaj ne duhet të riaktivizojmë përpjekjet për ta arritur këtë qëllim sa më shpejt që është e mundur”, tha Dejvid Gir, ambasador i BE-së.

Mbështetjen për zhvillimin e rajonit dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut e shprehu edhe SHBA-ja.

Qëllimi jonë thelbësor është ta shohim Maqedoninë e Veriut plotësisht të integruar në Bashkimin Evropian dhe e gjithë puna që bëjnë është me qëllim që të ndihmohet ky proces duke punuar me BE-në dhe partnerë të tjerë të ngjashëm për t’i ndihmuar ta arrijnë këtë qëllim”, pohoi Kejt Meri Bërns, ambasadore e SHBA-së.

Të pranishmit vijuan debatin për sfidat ekonomike në rajon dhe bashkëpunimet e mundshme tregtare.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button