Zaev: Përmes bisedimeve do të gjejmë zgjidhje edhe me Bullgarinë

Në Bruksel po mbahet Samiti i NATO-s ku do të përcaktohen prioritetet e Aleancës Veri-Atlantike për 10 vitet e ardhshme. Ky është Samiti i parë, në të cilin Maqedonia e Veriut merr pjesë si anëtare e plotfuqishme e Aleancës Veriatlantike. Kryeministri Zoran Zaev para nisjes së Samitit tha se pritjeve të gjata drejt integrimit në Bashkimin Evropian do t’u vijë fundi.

Unë pres që përmes bisedimeve do të mund të gjejmë zgjidhje sepse me të vërtetë u stërzgjatë. 20 vite me marrëveshjen e stabilizim-asocimit, 16 vite e gjysmë vend kandidat. Besoj që fqinji ynë lindor Republika e Bullgarisë përfundimisht do të na jep përkrahje të bëjmë hapin e radhës që është mbajtja e konferencës së parë ndër qeveritare.”- deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se shumë çështje kyçe do të shtrohen në tryezën e diskutimit ne mesin e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s. Synimi gjeo-strategjik i NATO-s sipas tij, do të jetë që edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ketë siguri dhe stabilitet të plotë.

Mesazhi ynë është që dyert e NATO-s janë të hapura. Ne kemi vende të reja anëtare nga ai rajon në vitet e fundit si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë shtete të reja anëtare, por ne gjithashtu kemi partnerë në vendet e tjera të rajonit dhe ende kemi KFOR-in në Kosovë. Aktualisht ne jemi aty dhe vazhdojmë të ndihmojmë në stabilizimin e rajonit.”- pohoi Jens Stoltenberg, Sekretari Gjeneral i NATO-s.

 Samiti i NATO-s me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 30 vendeve anëtare do të zgjasë dy ditë, ndërsa ka për qëllim hartimin e strategjisë së Aleancës për dekadën e ardhshme.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button