Zbatimi i gjuhës shqipe sfidë në RMV
Zbatimi i gjuhës shqipe sfidë në RMV
Gazetare: Ajnur Bafqari
Në Maqedoninë e Veriut, zbatimi i gjuhës shqipe mbetet një sfidë dhe nevojitet që të zbatohet më mirë dhe më shumë në të gjitha Institucionet dhe nivelet e shtetit. Kjo ishte porosia e numrit një të Agjencisë për zbatimin e Gjuhëve, Granit Osmani, i cili gjatë akademisë solemne për shënimin e Ditës së Alfabetit Shqip, tha se zbatimi i shqipes vazhdon të mbetet një sfidë.
“Sa i përket gjuhës, kjo është një sfidë e vazhdueshme me të cilën punojmë dhe merremi vazhdimisht, vlerësimet janë të ndryshme, besoj se meriton por duhet ligjërisht që gjuha shqipe të zbatohet më mirë dhe më tepër në të gjitha institucionet dhe në të gjitha nivelet e shtetit”, tha Granit Osmani, Agjencia e Gjuhëve.
“Jo plotësisht, prandaj edhe ne jemi bashkuar tre institucione të ndryshme që të kontribuojmë pak më tepër në këtë aspekt”, u shpreh Bekim Fetai, rektor i UNT.
Por kur vjen puna te festa, Maqedonia e Veriut, i jep peshë të veçantë.
“Mendoj se për dallim prej shteteve të tjera, siç është Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia e Veriut, është ndër shtetet e vetme që 22 nëntorin e ka edhe festë shtetërore. Besoj se i ka dhënë peshën dhe rëndësinë e duhur, por edhe institucionet gjithashtu po e respektojnë në të gjitha nivelet, se edhe në shkollat fillore organizojnë manifestime”, theksoi Lulzim Aliu, Zv ministër i Arsimit.
Në universitetin Nëna Terezë në Shkup, për nder të 22 nëntorit u organizua një akademi solemne, ku edhe u nënshkrua memorandum bashkëpunimi.
“UNT në Shkup, këtë vit ngriti iniciativë për shënimin e këtyre datave, me një akademi solemne, e cila parasheh edhe nënshkrimin e një memorandum bashkëpunimi mes 3 palëve UNT, Agjencia e Zbatimit të Gjuhëve dhe Muzeu i Alfabetit në Manastir. Qëllimi është thellimi i bashkëpunimit për organizimin e mëtejshëm të këtij manifestimi”, theksoi Mustafa Ibrahimi.
Për të ardhmen planifikohet zgjerim i bashkëpunimit edhe me Institutin e Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve dhe dy universitetet, me çka sipas Ibrahimit, planifikohet edhe ndarje e çmimeve për 22 nëntorin./ Alsat.mk









