Zbulohet atentati ndaj Kurtit

Zbulohet atentati ndaj Kurtit

Një shtetas shqiptar dyshohet se ka pasur në plan të vriste Albin Kurtin dhe dy persona të tjerë në Kosovë deputetin e PDK-së Xhavit Halitin dhe Ismet Haxhën, ish anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, i afërm me Kadri Veselin.

Ky fakt ka dalë në dritë pas hakerimit të emailit të Drejtori të Përgjithshëm të Policisë së kohës, Gledis Nano, nga autorët e sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë. Klan Kosova ka publikuar një dokument të siguruar nga Njësiti Kundër Terrorizmit të Policisë së Kosovës. Sipas dokumentit i dyshuar është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Sipas informacioneve të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha.

Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës. Nga Qeveria e Kosovës thonë se kryeministri Albin Kurti, ka qenë i informuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë se ka pasur një plan për atentat ndaj tij në vitin 2021. Prek Kodra që përmendet në raport dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi.

Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës. Sipas Policisë Shqiptare, ky person është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezullua urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button