Zelensky: Rusia do të mposhtet “sikurse u mposht nazizmi”

Zelensky: Rusia do të mposhtet “sikurse u mposht nazizmi”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua se forcat ruse do të mposhten në Ukrainë sikurse u mposht Gjermania Naziste në Luftën e Dytë Botërore.

“E gjithë ligësia e së shkuarës, që po risillet nga Rusia moderne do të mposhtet, ashtu sikurse u mposht nazizmi”, tha Zelensky përmes një video-mesazhi, që e incizoi duke qëndruar para një memoriali të luftës.

“Ashtu sikurse së bashku mposhtëm ligësinë atëherë, së bashku jemi duke mposhtur një ligësi të ngjashme”, shtoi ai.

Ky adresim i presidentit ukrainas vjen në përvjetorin e dorëzimit të Gjermanisë Naziste ndaj forcave aleate më 8 maj 1945, dhe një ditë para Ditës së Fitores, që Moska feston për të shënuar fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.

Zelensky tha se ka dërguar një projektligj në Parlament për të shënuar zyrtarisht në Ukrainë më 8 maj ditën e fitores në Luftën e Dytë Botërore dhe për festimin e Ditës së Evropës më 9 maj, duke distancuar edhe më tej shtetin e tij nga Moska.

Ai tha se Kremlini është përgjegjës “për agresion dhe aneksim, pushtim dhe dëbim”, por edhe për “vrasje në masë dhe torturë”.

“Për të gjitha këto ne do të përgjigjemi me fitoren tonë, fitoren e Ukrainës dhe botës së lirë”, tha Zelensky.

Adresimi i Zelenskyt vjen disa orë pasi autoritetet ukrainase njoftuan se kanë penguar 35 sulme me dronë të lëshuar nga Rusia dhe pas intensifikimit të sulmeve ajrore ruse ndaj qyteteve ukrainase, përfshirë edhe Kievin.

LEXO EDHE:

Back to top button