Zemaj: Po bëjmë të pamundurën që të infektuarve me COVID-19 të mos u mungojë asgjë

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj ka falënderuar punonjësit e Klinikës Infektive në Prishtinë për punën e madhe që po bëjnë për t’iu dalë në ndihmë pacientëve, duke thënë se ministria që ai drejton do të bëjë të pamundurën që personave të hospitalizuar me COVID-19 të mos iu mungojë asgjë.

Ai në një postim Facebook shkruan se ekipi i mjekëve dhe personeli shëndetësor, me drejtoreshën Lindita Ajvazi Berisha në krye, edhe pse me numrin e madh të pacientëve, asnjëherë nuk u dorëzuan tash e nëntë muaj qëkur Klinika Infektive është shndërruar në ‘epiqendër’ të pacientëve të prekur me koronavirus.

“Të gjithë, në një vijë të përbashkët, dje ,sonte e neser, duke i respektuar të gjitha masat dhe vendimet, arrijmë sukses. Ruaje veten nga virusi, ashtu e ruan familjen dhe shtetin”, shkruan Zemaj.

Ndryshe, në 24 orët e fundit janë regjistruar 501 raste të reja me koronavirus, 13 vdekje dhe 250 të shëruar, ndërkohë që vendi ndodhet nën masa më të rrepta izolimi, duke përfshirë edhe orën policore në disa prej komunave, përfshirë Prishtinën, ku ekziston një numër më i lartë i rasteve të reja në nivel ditor./Kosovapress/

LEXO EDHE:

Back to top button