Zgjedhja e Avokatit të Popullit në duart e deputetëve

Zgjedhja e Avokatit të Popullit në duart e deputetëve

Gazetar: Suad Bajrami

Zhbllokimi i procedurës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit u është lënë në duar deputetëve. Koordinatorët e grupit parlamentar duhet të dakordohen për zgjedhjen e Ombucmanit të ri, e cila ishte dhe temë diskutimi në takimin e djeshëm të liderëve.

Kreu i Kuvendit Afrim Gashi në intervistën për Alsat, theksoi që nëse tërhiqet emri i Faton Selamit i propozuar nga VLEN, atëherë duhet të përsëritet e tërë shpallja dhe do të ishte fatale për institucionin në fjalë. Gjatë ditës së sotme, Gashi tha se në kuadër diskutimeve të koordinatorëve të grupeve parlamentare kanë filluar diskutimet dhe së shpejti mund të pritet zgjidhje.

“Është e mundur që sot, nesër të ketë zgjidhje”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

Problemi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit vazhdon të jetë mungesa e shumicës së Badinterit. Ali Ahmeti nga BDI tha se bllokada ka ndodhur pasi VLEN ka vepruar pa u konsultuar me opozitën.

“Sepse nuk janë bërë konsultat e nevojshme, por është vepruar në mënyrë arbitrare. Dhe, demokracia konsensuale ka rregullat e veta”, tha Ahmeti.

Zgjidhje kreative për këtë çështje, dje paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski, ndërsa ZNAM insiston që kuadri që do të zgjidhet në krye të institucionit të jetë para se gjithash me integritet të lartë profesional.

“Folëm edhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, mendoj se këtu do të kërkojmë zgjidhje të caktuara kreative dhe cilat këto ditë duhet të ndodhin”, u shpreh kryeministri.

“Këtë funksion patjetër duhet ta kryejë një person me integritet të lartë profesional, me përvojë të dëshmuar dhe ekspertizë në fushën e të drejtave të njeriut”, tha Bobi Karapejovski, ZNAM.

Për dallim prej tyre, E Majta propozoi që për herë të parë kjo pozitë, t’i jepet komunitetit rom.

“Përfaqësues i komunitetit rom të zgjidhet për Ombucman, meqë vlerësojmë se janë komuniteti më i diskriminuar e cila nuk ka pushtet”, tha Apasiev.

Ndërkohë që partitë vijojnë përpjekjet për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, institucioni vazhdon të punojë me kapacitete të kufizuara, ndërsa çmimin për gjendjen e krijuar e paguajnë punonjësit e institucionit, por edhe qytetarët./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button