Zgjedhjet në Shtip dhe Pllasnicë, më 13 dhjetor

Opozita propozon të anulohen zgjedhjet

Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë komunash në Shtip dhe Pllasnicë vazhdon edhe pse nuk përjashtohet mundësia që ata të anulohen. Afati për dorëzimin e emrave të kandidatëve nga ana e partive skadon të shtunën. Deri tani LSDM-ja ka konfirmuar kandidaturën e Sashko Nikollovit në garën për të parin e Shtipit. Nikollovi është aktualisht deputet dhe kardiolog në spitalin e Shtipit. Ndërkohë nga kjo parti nuk bëjnë të ditur nëse do të kenë kandidat për kryetar edhe në Pllasnicë ose do të mbështesin kandidatin e partnerit të koalicionit. BDI-ja konfirmon për Alsat emrin e Ali Jahoskit si kandidat për komunën e Pllasnicës dhe pasardhës të Ismail Jahoskit.

Në garë për komunën e Shtipit është edhe kandidati i pavarur Trajçe Mitev. Kurse jozyrtarisht, VMRO-DPMNE-ja pritet të konfirmojë kandidaturën e Ivan Jordanovskit, po për Shtipin. Edhe Jordanovski është aktualisht deputet.

E ndërsa dalin në dritë emrat e kandidatëve, mbajtja e këtyre zgjedhjeve është vendosur në pikëpyetje. Vetë kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski në një intervistë kishte theksuar nevojën e anulimit të këtyre zgjedhjeve, por nuk ka nismë zyrtare.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa mendon se nuk është koha e duhur për zgjedhje të jashtëzakonshme lokale, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Mendoj se është shumë e paarsyeshme në këtë krizë ekonomike dhe në këtë gjendje të pandemisë të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme lokale në të cilat do të zgjidhen kryetarë komunash me mandat 10 muaj. Le ta analizojnë se si mund t’u zgjatet mandati edhe 10 muaj këtyre dy kryetarëve në Pllasnicë dhe Shtip, le të mos i harxhojmë paratë dhe në vend se në zgjedhje, t’i harxhojmë për ilaçe ose të bëjmë sa më shumë teste”-tha Arben Taravari, ASH-AAA.

Situata, për shkak të virusit, është e komplikuar edhe për KSHZ-në megjithatë ata thonë se janë të detyruar të zbatojnë procedurën ligjore. Shtipi është ndër komunat më të prekura nga numri i lartë i infektimeve dhe rasteve të vdekjeve.

Zgjedhjet e parakohshme lokale duhet të mbahen më 13 dhjetor. Mandati i dy krerëve të komunave që do të zgjidhen do të jetë deri në zgjedhjet e rregullta lokale të parapara për në tetor të vitit 2021. Zgjedhjet e 13 dhjetorit mund të anulohen me ndryshim të Kodin zgjedhor.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button