Zgjedhjet në veri, Policia e Kosovës masa të rrepta sigurie: Plani operativ për siguri po realizohet me përpikëri
Zgjedhjet në veri, Policia e Kosovës masa të rrepta sigurie: Plani operativ për siguri po realizohet me përpikëri
Policia e Kosovës ka thënë se zbatimi i planit operativ është duke u zbatuar konform fazave të parapara me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për qytetarët gjatë votimit në katër komunat veriore.
“Synimi i PK-së si çdo herë mbetet, që përmes realizimit të detyrave në mënyrë profesionale të garantojë ushtrimin e lirë të së drejtës së votës, të ndërmarrë veprime parandaluese ndaj dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend”- thuhet në njoftim, raporton KosovaPress.
Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, ku janë planifikuar të hapen 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”.
Në zgjedhjet e 23 prillit, në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantiq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë./Top Channel