Abazoviq: Vizitën e parë do ta kem në Beograd

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë se vizita e tij e parë si kryeminsitër do të jetë në Beograd, gjë e cila sipas tij, tregon se një kohë më e mirë bashkëpunimi mes dy shteteve, po vjen.

Abazoviq, duke folur për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, ka thënë se Mali i Zi është i interesuar për bashkëpunim. Ai ka thënë se dora e tij është e shtrirë për këtë qëllim. Kryeministri i ri malazez ka thënë se do të jap lajme pozitive nga Beogradi, kur është pyetur nga agjencia shtetërore serbe nëse Mali i Zi do t’i bashkohet përfundimisht Ballkanit të Hapur.

Abazoviq, që ka marrë pjesë si vëzhgues në samitin e sotshëm të Ballkanit të Hapur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ka thënë se kjo nismë është “definitivisht fytyra e re” e Ballkanit Perëndimor.

“Të gjitha temat e shtjelluara janë ekskluzivisht të lidhura me standardet e jetës për qytetarët, qoftë transporti i lirë, agrikultura, energjia, turizmi, krizat si dhe projektet e mëdha infrastrukturore… kjo është përfundimisht një kthesë e madhe”, ka thënë Abazoviq.

LEXO EDHE:

Back to top button