Abdixhiku paralajmëron takim të ri për kandidaturën e Osmanit për presidente

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë të premten, se javën e ardhshme do takohet me pretendenten për pozitën e presidentit në Kosovë Vjosa Osmani, për të diskutuar pozicionin e saj karshi disa çështjeve.

Ai i ka bërë këto komente pas takimit që ka pasur me ushtruesen e detyrës së presidentit Vjosa Osmanin dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Ai ka përmendur se LDK-ja është e interesuar për qasjen e Osmanit ndaj partisë që drejton Abdixhiku, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, partive opozitare dhe nismës së saj të paralajmëruar politike.

Sipas tij, LDK-ja është e interesuar për një kandidat për president, që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Kemi përfunduar takimet me LVV-në, sepse pozicionet tona janë të qarta. Ne jemi në opozitë, ata janë në pozitë. Ne do të jemi opozitë aktive dhe alternativë e re në të ardhmen”, ka thënë Abdixhiku pas takimit.

Ai ka thënë se LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e së hënës kur pritet të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi për seancat tjera.

Sipas Abdixhikut gjithçka do të varet nga vendimet që marrin organet e partisë së LDK-së.

“Nesër e kemi mbledhjen brenda partisë dhe do ta formojnë kryesinë e re. Unë do të prezantoj detajet e këtij takimi”, ka thënë mes tjerash ai.

Abdixhiku ka përsëritur sërish të premten se partia që drejton ai nuk është e interesuar të shkaktojë destabilizim politik.

Për dallim nga Abdixhiku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj ka qenë të enjten më i drejtpërdrejtë sa i përket kandidaturës së Osmanit për presidente.

Ai e ka quajtur Osmanin figurë përçarëse dhe ka thënë se PDK-ja nuk ka votë për të.

Po të enjten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se partia që drejton ai, do të jetë pjesë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Për secilën seancë tjetër, Haradinaj ka thënë se grupi parlamentar i AAK-së do të diskutojë veç e veç.

Ditë më parë, Haradinaj ka thënë se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i sigurojë votat e nevojshme në kuvendin e ri, për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

LEXO EDHE:

Back to top button