Abdixhiku propozon ditën e premte si datë të takimit me Kurtin e Osmanin

Kryetari i sapo zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se do të ketë qasje konstruktive në raport me konstituimin e institucioneve, por për shkak të konsolidimit në parti, nuk mundet të shkojë në takimin e nesërm konsultativ me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

Megjithatë, Abdixhiku propozoi që ky takim të zhvillohet të premten.

“Qasja jonë do të jetë konstruktive, pjesë e platformës sime është që ne do të jemi konstruktiv me krejt partitë politike shqiptare. Ne jemi pjesë e institucioneve të Kosovës dhe kemi përgjegjësi dhe obligim të sillemi me përgjegjësi për të ndërtuar institucionet dhe jo shkaktuar probleme në skenën tonë politike. Për shkak të rrethanave të tanishme nesër gjëja e parë që duhet të bëjë është të dalë në zyrën e LDK-së. Unë e falënderoj konstruktivitetin e zonjës Osmani dhe Kurtit në lidhje me ftesën. Besoj kjo është qasja e duhur, por e kam të pamundur për shkak të konsolidimit të organeve tona të marrë pjesë në takimin e nesërm. Gjithsesi propozoj të premten si datë të takimit eventual në formatin e njëjtë”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku është deklaruar edhe rreth mbështetjes eventuale të LDK-së për zgjedhjen e Vjosa Osmanit për presidente të Kosovës.

“Vendimet tona do të jenë kolektive dhe jo individuale. Gjithmonë duke respektuar e konstruktiviteti në skenën tonë politike. Shohim çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim”, tha ai.

Për sa i përket kryesisë së re të LDK-së, Abdixhiku tha se do të ketë një organizim të ri, ku do të ketë figura të reja brendapartiake.

“Po secili kundër-kandidat, por jo vetëm, të ndërtojë një kryesi të re me figura të reja brenda partiake, por do të kërkojë edhe hapje të dyerve për individë që kanë bindje të njëjtë ideologjike. Do të shihni një kryesi të re dhe një organizim të ri”, tha ai.

Ndryshe, Lumir Abdixhiku u zgjodh sot kryetar i ri i LDK-së, pas dorëheqjes së Isa Mustafës, pas 11 vjetësh të udhëheqjes së partisë, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit shënoi rezultatin e saj më të dobët ndonjëherë.

LEXO EDHE:

Back to top button