Aktorit i ka humbur statuja e Oscar-it: “Ka vite që është zhdukur”

Ndoshta Jared Leto mund ta ketë dërguar në shtëpi Oscar-in e fituar në 2014-ën, por për fat të keq ai ka humbur çdo gjurmë të statujës prej ari. Të martën, në një intervistë për “The late show with James Corden”, teksa foli për filmin e tij të ri, “The Little Things”, aktori deklaroi se nuk ishte i sigurt se ku ka përfunduar çmimi i shumëlakmuar.

“Mësova se kishte tre vite që kishte humbur. Nuk e dija këtë gjë, mendoj që askush nuk donte të ma tregonte”.

49-vjeçari, i cili fitoi çmim si aktori më i mirë mbështetës, për interpretimin në “Dallas Buyers Club” tha se kishte ndryshuar disa shtëpi në Los Angeles, në kohën kur statuja “u zhduk si me magji”.

“Mund të jetë kudo, nga nuk kemi kërkuar. Shpresoj të ndodhet në duar të sigurta aty ku gjendet. Nuk e kemi parë prej shumë kohësh”.

I pyetur nëse mendon se dikush mund t’ia ketë marrë, Leto u përgjigj:

“Mendoj që ka goxha mundësi, fundja nuk është diçka që dikush e hedh aksidentalisht në plehra. Më kujtohet nata kur e mora, e kalova në duart e shumë njerëzve. Ata u kënaqën duke bërë fotografi me të”.

Më herët, Leto tregoi se si natën e marrjes së çmimit, aksidentalisht e përplasi statujën duke i shkaktuar një cen të vogël. Artisti rrëmbeu Oscar-in për portretizimin e një pacienti transgjinor me SIDA, në dramën e mirënjohur që luajti gjithashtu Matthew McConaughey dhe Jennifer Garner.

LEXO EDHE:

Back to top button