“Almiri”, gjykata shtyn burgimin për Boban Iliçin!

Kur duhej të paraqitej në burg për të vuajtur dënimin, Gjykata Themelore ne Kumanovë ndryshoi vendimin dhe shtyu edhe për tre muaj burgimin për Boban Iliçin i cili kishte shtypur për vdekje vogëlushin 4 vjeçar Almir Aliun. Iliç sot shëtiste i lirë nëpër sheshin e qytetit me familjen e tij, të cilët u panë edhe nga ekipi i Tv Alsat. Ai refuzoi të përgjigjet duke tërhequr edhe familjen e tij nga kamera jonë.

Vendimi i Gjykatës erdhi pas kërkesës së avokatit të familjes Iliç, për të prolonguar mbajtjen e burgut për arsye sigurie. Ndërsa Prokuroria në Kumanovë u ankua ndaj këtij vendimi, duke kërkuar që ai të dërgohet prapa grilave. Alsat siguroi vendimin e Gjykatës, në bazë të cilit, Boban do të gëzoj lirinë edhe për tre muaj.

Shtyhet fillimi i mbajtjes së dënimit me burg i të dënuarit Boban Iliç nga Kumanova duke prolonguar nga 01.03.2021 për më datën 01.06.2021, kur i gjykuari detyrohet të paraqitet në Burgun K’shanje të Kumanovës, në të kundërtën do të ndiqet dhe të sillet me forcë në qeli, duke i bartur shpenzimet e arrestimit nga policia Nenit 140, pika 2 të Ligjit për Zbatimin e Sanksioneve – njoftojnë nga Gjykata Themelore e Kumanovës.

Arsyet e shtyrjes së vuajtjes së burgut nga Iliç nuk i din drejtuesi i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve Marjan Spaovski, por ai thotë se Institucioni garanton sigurinë e të gjithë të burgosurve

Shtyrja e aktvendimit për burg efektiv të Boban Iliçit është bërë nga gjykatësi për zbatim të sanksioneve, nga cila arsye nuk e di, supozoj se për arsye sigurie. Por, potencoj se si Bobani dhe të gjithë të tjerët të përfshirë të atë ngjarje tragjike ne mund të ju garantojmë sigurinë këtu brenda qelive – deklaroi Marjan Spasovski, Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.

Për dallim nga shtyrja e vuajtjes së burgimit për Iliçin, Gjykata ka refuzuar shtyrjen e mbajtjes së burgut për prindin e Almirit, Sedat Aliun që duhet të vuajë burg prej gjashtë muajve si dhe dy të afërmit e tij që janë dënuar me nga 9 muaj burgim.

Boban Iliç do të mbaj burg efektiv më pak se 3 vjet sepse i është llogaritur paraburgimi dhe arresti shtëpiak. Nga dënimi prej 4 vjetësh që Apeli i uli dënimin fillestar të Themelores prej 6 vjetësh, ai do të vuaj dënimin me një burg të llojit gjysmë të hapur, ku në hapësirat e njëjta do të mbajnë dënimin edhe familjarët e Almirit.

Adnan Qaili

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button