Ambasadorja amerikane në Tiranë kërkon largimin e Berishës nga Kuvendi

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka kërkuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha që kjo parti të distancohet nga Sali Berisha, ish-presidentin e shpallur non-grata nga SHBA-ja, duke i paralajmëruar se në të kundërtën do të rrezikojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takim në selinë e opozitës demokrate në Tiranë, të parin që nga zgjedhjet e përgjithshme në prill, ambasadorja amerikane Kim kërkoi nga liderët partiakë shqiptarë që kur të marrin mandatin e ri në shtator, të hyjnë në Kuvend me përfaqësim të denjë për Shqipërinë.

“Është e rëndësishme që PD t’i mendojë mirë këto çështje”, shtoi ajo.

Administrata amerikane kishte shpallur ish-presidentin Berisha dhe familjen e tij persona non-grata në muajin maj, duke i ndalur hyrjen në Amerikë për shkak të aferave korruptive.

Duke marrë motiv nga slloganet e ish-diktatorit shqiptar, Enver Hoxha “bar do të hamë e armikut nuk do t’ia zgjasim dorën”, ku si armik e kishte identifikuar imperializmin amerikan, ambasadorja Kim kërkoi nga PD të marrë veprime të përgjegjshme për të ardhmen e Shqipërisë.

“Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvndësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura. Do të ishte ironi historike, por edhe tragjedi për këtë vend, jo vetëm për partinë, që partia të hajë bari për shkak të interesave personale të një njeriu”, tha ambasadorja Kim para mediave pas takimit njëorësh me Bashën.

“Ne shpresojmë që partitë të lëvizin përpara, që ky shtet të lëvizë përpara, që bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Shqipërisë të lëvizë përpara. E ardhmja po pret”, shtoi ajo duke iu apeluar partive politike “të zgjedhin të ardhmen në vend të së kaluarës”.

LEXO EDHE:

Back to top button