Anna Oxa merr pasaportën shqiptare: “Jam vajza e Qazimit nga Kruja

Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Anna Oxa ka jetuar gjithë jetën e saj në Itali dhe ka zhvilluar karrierën si këngëtare, por origjinën nuk e ka harruar kurrë. Oxa ka aplikuar për pasaportë shqiptare dhe kryeministri Edi Rama ka shkuar vetë personalisht në Krujë për t’ia dorëzuar.

Kështu më në fund, Anna Hoxha, apo siç njihet Anna Oxa, ka marrë zyrtarisht pasaportën shqiptare dhe është tashmë qytetarja më e re e Krujës, aty ku edhe ka rrënjët e familjes.

Gjatë intervistës që zhvilloi me Ardit Gjebrean ajo tregoi se është një shqiptare, e rritur në Itali që jeton në Zvicër.

“Bukë e kripë e zemër. Kjo është ajo që më bën të ndihem shqiptare. Unë jam rritur atje, por nuk më ikin rrënjët e mia dhe nuk e ndjej veten që ta ndaj më dysh duke treguar se përqind shqiptare e italiane jam. Tashmë jetoj në Zvicër. Nuk ka qenë shumë e lehtë sepse jam shqiptare në fund të fundit dhe ecuria e jetës ka pasur problematikat e saj. Jam vajza më e vogël e familjes dhe babai gjithmonë më thoshte ‘je bastuni i pleqërisë time’. Me këtë shprehje gjej një lloj dashurie. Dashuria për Shqipërinë më vjen nga brenda, nuk ka nevojë që ta shtyj veten që ta bëj. E kam prezantuar veten si vajza e Qazimit nga Kruja. Jam e para që jam futur në xhaminë e Krujës, aty ku ka rrënjë familja ime. Fjala më e bukur në shqip për mua është faleminderit.”

Përballë saj, kryeministri Rama tha se i ka dalë në ëndërr Skënderbeu dhe i ka thënë se Anna kishte shkuar në Kështjellën e tij. Pikërisht kjo gjë e kishte ngritur kryeministrin Rama dhe e kishte sjellë drejt Krujës që t’i dorëzonte me dorën e tij pasaportën shqiptare.

“Fama juaj ka ardhur këtu para jush dhe nuk ka ardhur një famë si ndjekëse e heshtur e Nënë Terezës, por ka ardhur fama e një ndjekëse të Skënderbeut, e një luftëtareje që nëse nuk i hap rrugën të shpartallon,”- tha Rama para saj.

LEXO EDHE:

Back to top button