Besojmë se ju ka ndodhur edhe ju që për të shmangur kontaktet me të tjerët në kohë pandemie, ose në pamundësi për të gjetur këto kohë një parukiere të mirë, i keni prerë flokët vetë.
Këtë gjë bëri edhe aktorja e famshme Anne Hathaway, e cila në fakt i habiti të gjithë.
Ajo vendosi t’i presë vetë flokët teksa punonte muajt e fundit gjatë pandemisë për një projekt të ri. Për “Radio Times”, Hathaway ka treguar se i duhej një look i ri për filmin e saj, mirëpo stilisti i flokëve të saj nuk ishte i pranishëm për t’i realizuar pamjen që kërkonte.
Ai i kishte kërkuar Anne-s të shkonte diku tjetër për të stiluar flokët e saj, por aktorja sigurisht që nuk e bëri! Nga meraku, ajo i preu vetë flokët vetes dhe doli në xhirimet e filmit me to.
“Kur nisa të xhiroja për filmin, mendova se stilisti im i flokëve do merrej me to, por nuk ndodhi kështu. Ai më pyeti nëse mund të kujdesej dikush tjetër për mua, ndërkohë që ai nuk ishte, megjithatë isha shumë e frikësuar të isha në kontakt me njerëz të tjerë kështuqë thashë jo. Flokët në film janë ato që preva vetë, prandaj ndihem shumë si në vitin 2020”, ka treguar Anne.








