Arrihet marrëveshja për shtetësitë, përgatitet ligji

Çështja e shtetësisë është para zgjidhjes përfundimtare. Takimi mes kryeministrit Zoran Zaev dhe dy liderëve të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, rezultoi me një marrëveshje e cila do të konkretizohet në dispozita ligjore deri të premten. Të dy palët nuk bënë të ditura detaje por thanë se ligji do të jetë zgjidhje e mirë.

 Bëhet fjalë për rreth 13 arsye bazë për marrjen e shtetësisë, jo si tërësi por cilado qoftë nga ato kushte dhe kjo nënkupton një hap serioz sepse pothuajse të gjithë qytetarët e plotësojnë të paktën njërin nga kushtet. Por, sigurisht, këtu bëjnë pjesë edhe vitet e pritjes për shtetësi, vlerësimi që jep Agjencia për Siguri Kombëtare, etj. Biseduam për të gjitha aspektet dhe kemi zgjidhje, kemi përparim serioz të cilin duhet ta vendosin në letër shërbimet profesionale të Ministrisë së Punëve të Brendshme- deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Po, do të ofrohet një zgjidhje e cila përsëri do të ngelet objekt i takimit të radhës që të shndërrohet në tekst, në të cilën do të jenë të parapara disa dëshmi, mes të cilave mund të jetë një dëftesë, faturë energjie elektrike, etj. Janë një numër i madh dëshmish prej të cilave mjafton që të plotësohet vetëm njëra dhe me automatizëm këtyre qytetarëve do të duhet t’u konstatohet shtetësia- pohoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Megjithatë për momentin palët nuk zbardhën detaje as se si do të zgjidhin pengesat me vlerësimet negative që marrin nga Agjencia për Siguri Kombëtare qytetarët që aplikojnë për shtetësi. Për më tepër, nuk dihet nëse pushteti ka pranuar kërkesën e opozitës shqiptare për kushtin e njohjes vetëm të gjuhës shqipe dhe jo domosdoshmërish atë maqedonase, por, propozuesit thonë se do të insistojnë që kjo dispozitë të mbetet.

Duke e vendosur si kusht zhbllokimin e ligjit për shtetësi, opozita shqiptare kishte bllokuar në Kuvend disa ligje me dhjetëra mijëra amendamente.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button