SHBA dhe Irani japin deklarata kontradiktore për bisedimet e paralajmëruara në Katar

Gazetare: Ilirida Sulejmani

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë dhënë deklarata kontradiktore sa i përket bisedimeve të paralajmëruara mes dy vendeve në Katar. Të dërguarit e posaçëm, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, thuhet se janë nisur drejt Dohas disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një raund i ri negociatash do të zhvillohej sot.

“Takimi në Doha do të jetë ndoshta i rëndësishëm, ndoshta jo. Do ta zbulojmë, por po fitojmë ushtarakisht. Ne nuk duam që ata të kenë një armë bërthamore, dhe ata nuk do të kenë një armë bërthamore. Dhe ata janë pajtuar me këtë me gjithë drejtësi”, deklaroi Donald Tramp, President i SHBA-së.

Por Irani këmbëngul se nuk janë planifikuar bisedime me Shtetet e Bashkuara gjatë ditëve në vijim, edhe pse një delegacion teknik iranian udhëton drejt Dohas. Zëvendësministri i Jashtëm iranian, tha se ekspertë të Iranit dhe Omanit do të nisin bisedimet për të ripërcaktuar korridoret e tranzitit përmes Ngushticës së Hormuzit gjatë ditëve në vazhdim. Ai paralajmëroi se Teherani nuk do të lejojë kalimin e anijeve jashtë itinerareve të përcaktuara dhe se askush tjetër, përveç Iranit, nuk do të largojë minat nga ujërat e Hormuzit.

“Ne jemi të vendosur fuqimisht të arrijmë një mirëkuptim me Omanin për administrimin e Ngushticës së Hormuzit. Republika Islamike e Iranit do të përcaktojë rrugët e transitit në këto kushte të përkohshme dhe ne nuk mund të pranojmë asnjë rrugë tjetër. Nëse anijet përdorin rrugë të tjera, ne do ta kundërshtojmë këtë dhe do të përpiqemi ta parandalojmë”, tha Kazem Gharibabadi, Zv.ministër i Jashtëm.

• Të vendosur për mirëkuptim me Omanin për administrimin e Ngushticës së Hormuzit

Deklaratat kontradiktore të palëve kanë shtuar dyshimet nëse negociatorët do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje brenda afatit 60-ditor. Kjo ndodh pasi gjatë fundjavës të dyja palët shkëmbyen akuza dhe sulme ndaj njëra-tjetrës, mes pretendimeve për shkelje të armëpushimit./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button