Bllokimi nga ana e Bullgarisë, Osmani: Të mos humbim shpresën për bisedimet

Derisa Sofja është e palëkundur në veton ndaj fillimit të negociatave mes Shkupit e BE-së, Ministri i jashtëm, Osmani iu apelon qytetarëve për qetësi dhe optimizëm. “Kemi investuar shumë, kemi arritur shumë dhe nuk guxojmë ta lëshojmë këtë mundësi” shprehet Osmani, duke theksuar se populli e ka mandatuar për të gjetur zgjidhje e duke rikujtuar se vendi ka shumë miq në botë.

- Advertisment -


Jam i vetëdijshëm se po hymë në fazë të ndjeshme, ku secili prej jush numëron ditët dhe pret epilog të dinjitetshëm të integrimeve tona evropiane dhe besoni se këto ndjenja janë edh më të fuqishme tek unë. Për tre evite kam udhëhequr integrimet evropiane dhe pothuajse çdo mëngjes jam zgjuar vetëm me një mendim, fillimin e bisedimeve. Dhe kjo është krejt normale, njerëzore por nuk duhet të na sjellë në situatë të defetizmit- deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Ndërkohë kreu i i partisë opozitare, Alternativa kërkon llogari nga koalicioni qeveritar LSDM-BDI pse nuk e respektoi marrëveshjen e 2017-tës, duke e akuzuar se për shkak të interesave partiake e ka rrezikuar qëllimin strategjik të vendit, çmimin e së cilit e paguajnë të gjithë qytetarët. Gashi edhe një herë theksoi nevojën që krahas Sofjes, Shkupi të kundër-përgjigjet me një pozicion të unifikuar kombëtar.

Nëse i kujtojmë deklaratat e Zaevit e Borisovit gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, se me çfarë fjalësh të mira i drejtoheshin njëri-tjetrit. Pyetja duhet t’iu parashtrohet atyre: Çfarë ju ndodhi për këto 3 vjet? Pse i prishët marrëdhëniet dhe u kthyet në pozicionet rigoroze të viteve të 90-ta? Dikush këtu ka gabuar. Nuk e di se çfarë ka ndodhur, por nëse sot kemi “kërcënim” se Bullgaria do ta pengojë procesin integrues të vendit, ndërsa para 3 vitesh donte të ishte promotor I integrimit të vendit tonë në BE, diçka ka ndodhur- pohoi  Afrim Gashi, Alternativa.

Nga ana tjetër, partia më e madhe opozitare në Bullgari i kërkon kryeministrit, Borisov dhe ministres së jashtme, Zaharieva që të mos tregtojnë me pozicionin kombëtar për shkak të presioneve të jashtme dhe insistojnë që të deklarohen në Asamblenë Kombëtare përpara se të shkojnë në takimin e Këshillit të Përgjithshëm të BE-së, ku pritet të finalizohet korniza negociuese për Shkupin.

Momentalisht, nuk janë të plotësuara kushtet që Bullgaria t’i jep mbështetje Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. E ardhmja evropiane e RMV-së nuk mund të arrihet në kurriz të unitetit tonë kombëtar, historisë bullgare dhe kompromiseve me të vërtetën historike- tha Kornelia Ninova, Partia Socialiste e Bullgarisë.

Socialistët bullgarë këmbëngulin se autoritetet e RMV-së duhet të heqin dorë nga “pakica maqedonase”, ta përdorin emrin e plotë të shtetit, kompromiset për njohjen e identitetit të sotëm dhe gjuhës maqedonase të bëhen me njohjen e gjenezës së tyre bullgare dhe t’i jepet fund “gjuhës së urrejtes”, respektivisht propagandës anti-bullgare.

Anesa Salihu

 

LEXO EDHE:

Back to top button