Brad Pitt shpenzoi miliona dollarë në gjykata ndaj Angelinës për vreshtat në Francë

Brad Pitt shpenzoi miliona dollarë në gjykata ndaj Angelinës për vreshtat në Francë

Është raportuar se aktori i mirënjohur i Hollywoodit, Brad Pitt, ka shpenzuar 10 milionë dollarë në procese gjyqësore ndaj ish-bashkëshortes së tij, Angelina Jolie për tokat në Francë të cilat janë të mbjella me rrush e që janë pronë e përbashkët e dyshes.

Aktori u nda nga Angelina në shtator të vitit 2016 dhe që atëherë çifti kanë qenë në betejë maratonike për gjashtë fëmijët e tyre, pasurinë dhe pronën e përbashkët në Francë.

Brad e ka paditur ish-bashkëshorten pasi ajo ia ka shitur pa lejen e tij pjesën e saj të kësaj prone, oligarkut rus Yuri Shefler.

“Brad ka shpenzuar 10 milionë dollarë deri më tash duke paguar avokatë”, ka thënë një burim për Page Six, duke shtuar se aktori nuk po i konsideron këto si para të humbura.

“Kjo ka të bëjë me faktin se ai do ta ngre zërin kundër këtyre gjërave duke mbrojtur njerëzit e tij, principet dhe të vërtetën. Brad qëndron fuqishëm për atë që beson”, ka thënë tutje burimi.

Aktori pati treguar se Angelina ka shitur pjesën e vet të pronës, pasi gjykatësi i ka lejuar atij kujdestarinë e përbashkët të fëmijëve, vendim të cilin Angelina e ka mohuar.

“Brad është i gatshëm të shkojë të dëshmojë, nëse kjo çështje shkon në gjykatë”, ka thënë tutje burimi.

Gjykata e Los Angelesit, javën e kaluar ka bërë të ditur se ky rast mund të shkojë në gjyq.

Brad e Angelina ka blerë bashkë pronën në France në vitin 2008. Toka e mbjellë me vreshta ka sjell verën e tipit rose, Miraval e cila u shpërblye për kualitet të lartë, ndërkaq me biznesin atje ishte ngarkuar Brad.

Çifti ishin martuar atje në një ceremoni private, gjatë vitit 2014, ku të pranishëm ishin edhe gjashtë fëmijët e tyre.

Brad aktualisht është në lidhje me disenjatoren e stolive, 34 vjeçen, Ines De Ramon.

LEXO EDHE:

Back to top button