Celine Dion anulon 16 koncerte për shkaqe shëndetësore

Ylli i njohur i muzikës, Celine Dion, e ka bërë të ditur lajmin për anulimin e 16 koncerteve të mbetura të turneut të saj botëror, për shkak të problemeve të vazhdueshme shëndetësore.

Këngëtarja kanadeze tha se po rikuperohej nga “spazma të rënda dhe të vazhdueshme të muskujve”, që po e pengonin aftësinë e saj për të performuar, në një postim të fundit të publikuar në llogarinë e saj zyrtare në Instagram.

Në tetor të vitit 2021, Dion i kishte shtyrë koncertet e planifikuara në Las Vegas, derisa atëkohë kishte deklaruar se po ndihej zemërthyer për faktin që po detyrohet t’i zhgënjejë fansat.

Performancat e mbetura të turnout “Courage World Tour” ishin ricaktuar për mars dhe prill të këtij viti, sidoqoftë ato tashmë janë anuluar me kërkesë të mjekëve të këngëtares të cilat janë duke e vlerësuar dhe trajtuar gjendjen e saj shëndetësore.

“Po shpresoja vërtetë se do të ndihesha më mirë deri më tani, por supozoj se duhet të kem pak më shumë durim dhe ta ndjek regjimin që ma kanë përshkruar mjekët. Ka shumë organizim dhe përgatitje që shkon në shfaqjet tona, dhe kështu ne duhet të marrim vendime sot që do të ndikojnë në planet e dy muajve të ardhshëm. Do të gëzohem shumë kur të rikthehem në shëndet të plotë, si dhe uroj që të gjithë ne ta kalojmë këtë pandemi sa më shpejtë që është e mundur. Mezi pres të kthehem përsëri në skenë”, deklaroi këngëtarja.

Dion njihet më së shumti për baladën “My Heart Will Go On” e cila ishte koonë zanore e fimit rekordthyes, “Titanic”. Për këtë këngë, ajo i fitoi dy çmime “Grammy” në vitin 1998. Sot ajo shquhet si një nga artistet më fitimprurëse të të gjitha kohërave, me shitjen e më shumë se 200 milionë albumeve në mbarë botën.

 

LEXO EDHE:

Back to top button