Dënime me kusht për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë

Dënime me kusht për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë

Gjykata Themelore në Tetovë ka dhënë verdiktin për zjarrin në spitalin modular gati dy vite pas tragjedisë së rëndë që la 14 persna të vdekur. Ish drejtorët e spitalit, Florin Besimi dhe Artan Etemi u dënuan me nga 1 vit e gjysmë me burg, por me kusht. Kjo nënkupton se ata mbeten në liri ndërsa në burg mund të shkojnë vetëm në rast se përsërisin veprën në tre vitet e ardhshme. Trupi gjykues ndërkohë ka lënë të lirë mjekun Boban Vuçevski i cili ngarkohej me veprën penale “mos respektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.

“Të akuzuarve Florim dhe Artan, iu caktohet dënimi me nga një vit e gjashtë muaj burg me kusht. Në pajtim me Nenin 49 dhe Nenin 50 të Kodit Penal, ata nuk duhet ta vuajnë nëse në afat prej tre vitesh nuk bëjnë vepër të re penale. Në pajtim me Nenin 96 Spitali Klinik i Tetovës dënohet me dënim me para në vlerë prej një milion denarë, që duhet ta paguaj 30 ditë pas sjelljes së vendimit”, tha Jordan Velkovski, Kryetar i Trupit Gjykues.

Ata sipas vendimit të Gjykatës janë shpallur fajtor pasi nuk kanë instaluar mjete të përshkruara për mbrojtjen nga zjarri dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve dhe pacientëve të sëmurë me Covid-19. Ata gjithashtu nuk kanë vepruar sipas masave dhe aktiviteteve të marrëveshjes së kredisë me Bankën Botërore. Edhe pse kanë qenë të obliguar që të kenë pajisje kundër zjarrit, në ditën e lëshimit në përdorim të spitalit modular, deri në momentin e rënies së zjarrit, nuk kanë pasur mjete adekuate për mbrojtjen nga zjarri”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Por, me këtë gjykim nuk është pajtuar ish drejtori Florin Besimi duke paralajmëruar ankimin në shkallën e dytë.

“Vendimi i sotëm është i pakuptimtë për mua. Arsyetimin e vendimit nuk e kam të qartë. Ju them me të drejtë se dëshmitë dhe faktet e dorëzuara në gjykatë e dëshmojnë pafajësinë time. Në asnjë moment skam pasur lidhje me spitalin modular. As e kam realizuar as e kam mbikëqyrur, e as e kam pranuar dhe kjo dëshmohet me dokumentet andaj se kam të qartë se pse ka ardhur deri tek ky vendim. Arsyeja e vetme është se nuk ka pasur apo ka pasur aparate kundër zjarrit, por këtë e thanë dëshmitarët gjatë procesit gjyqësor ku u vërtetua se ka pas”, deklaroi Florin Besimi, ish drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.

Mjeku Boban Vuçevski, ka falënderuar përkrahësit e tij që protestuan gjatë gjithë kohës së mbajtjes së seancave.

Gjykimi për modularin e Tetovës ka filluar në 6 shtator të vitit të shkuar ndërsa për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit kanë ndihmuar edhe ekspertë nga Gjermania, të cilët kishin konstatuar se shkaktar i zjarrit ka qenë një qark i shkurtër në një kabllo zgjatuese.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, që kishte shkaktuar reagime e protesta të shumta, më 10 shtator 2021 kishte dhënë dorëheqje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe më pas zëvendësi i tij, Ilir Hasani, por dorëheqjet e tyre nuk ishin pranuar nga ish kryeministri, Zoran Zaev.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë me pasojë vdekjen e 14 personave të sëmurë me covid-19 ka pasur reagime e protesta të shumta. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button