Disa pedagogë kërkojnë rikthimin e mësimit me prezencë fizike

Gjysmë-maturantët po i vuajnë më së shumti pasojat e mungesës së mësimit me prezencë fizike. Pedagogu i shkollës fillore “Liman Kaba” në fshatin Luboten tha se shumica e gjysmë-maturantëve kanë humbur vullnetin për mësimin “online” e madje edhe dëshirën për të vazhduar shkollimin e mesëm.

Dita ditës numri shkon duke u zvogëluar sidomos te klasat e nënta. Kjo ndikon në humbjen e vullnetit të nxënësve për mësim. Dje kisha një rast me një nxënës të klasës së nëntë, më pyeti a edhe për fund vit nuk do të vijmë në shkollë? I thash nuk varet prej meje dhe nuk besoj që do të ktheheni, ai ishte i demoralizuar dhe u largua, madje pa u përshëndetur -deklaroi Senat Saliu, pedagog.

Nxënësit kërkojnë që të paktën një ose dy muajt e fundit të kthehen në shkollë me prezencë fizike. Pasi, sipas tyre, mësimi “|online” ishte dështim për gjeneratat që këtë vit përmbyllin arsimin fillor.

“Kishte qenë shumë e rëndësishme për ne të vijmë në shkollë me prezencë fizike. Jemi semimaturant, do të merrnim ndonjë këshillë prej arsimtarëve. Do të bisedonim se në çfarë drejtimi të shkojmë, çfarë drejtimi të marrim, në cilën shkollë”, tha Ensar Jusufi, semimaturant.

“Kjo ka qenë dështim për gjeneratat e reja. Me prezencë fizike ka qenë më mirë edhe notat i kemi pas më të merituara, ndërsa në “online” nuk di çfarë të them, katastrofë. Problemi është sepse edhe rryma ndalet kohë pas kohe, problem me rrjetin kemi çdo ditë”, u shpreh Nuri Abdurramani, semimaturant.

Burim Murtezani, kujdestar i një klase të nëntë tha se këshillat përmes mësimit online nuk janë të mjaftueshme për t’iu ndihmuar nxënësve në vendimin për shkollimin e mesëm.

Ju flasim çdo orë rregullisht, kërkojnë mendime ku të vazhdojnë për shkollimin, ku është më mirë, ku është me keq. Ndryshe do të ishte sikur të vinin një ose dy muaj në fund. Do shiheshin mes vete, do merrnin mendime edhe prej arsimtarëve tjerë edhe prej kujdestarëve, ndoshta edhe notat do i merrnin më të mira – deklaroi Burim Murtezani, mësues në Sh.F “Liman Kaba” f. Luboten.

Pavarësisht kërkesave të semi-maturantëve, nga ministria e Arsimit përsëritën disa herë se mësimi online ka dhënë rezultate të mira dhe nuk parashikohen ndryshime deri në fund të vitit shkollor.

Melihate Rustemi

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button