Dita e parë e testimit të nxënësve për Covid-19, të gjithë dolën negativ
Skriningu apo verifikimi nëse në mesin e nxënësve është i pranishëm Covid 19, por pa simptome, nisi nga gjimnazi “Zef Lush Marku” në Shkup. Gjithsejtë u testuan 68 nxënës. Që të gjithë dolën negativ. Mjeku Denis Jankullovski tha për Alsat se procesi i skriningut u realizua pa asnjë problem. Rezultatet u dhanë pas 3-4 minutave.
Jemi shumë të kënaqur nga organizimi, rezultatet janë të mira që nënkupton gjithçka kaloi mirë gjatë testimit. U testuan të gjithë që dhanë pëlqimin. Bashkë me kolegen kaluam mirë, tempoja e punës ishte e shkëlqyeshme për ditën e parë”, tha Denis Jankullovski.
Nxënësit thanë se kishin vendosur të testohen me qëllim identifkimin e rasteve të mundshme asimptomatike.
https://youtu.be/Bu9nI-odcN8
“Pranova për skriningun sepse isha i interesuar ta di a jemi të gjithë të sigurt, që edhe shkollën ta mbajmë sigurt”.
“Mendoj që është për të mirën tonë edhe s’kemi pse mos të testohemi. Kemi pas edhe rast vdekje, kjo edhe na ka shty të testohemi”.
“Për mbrojtje pak më të mirë, me e ditë a kemi simptoma ose jo. Ka pas që e kanë kaluar, e kam kaluar më duket edhe unë edhe familjarët e mi në shtëpi, prandaj më mirë të testohemi, për siguri më të madhe”.
Pavarësisht numrit të madh të nxënësve, për momentin në këtë shkollë nuk ka asnjë të prekur me virusin korona.
Deri më tani, edhe pse e dimë që në shkollën “Zef Lush Marku” numri i nxënësve është tejet i madh, që gjithsej kemi 1.773 nxënës, prej tyre në vet izolim kemi shumë pak nxënës, pesë deri më tani”, theksoi Ajshe Beqiri, shërbimi profesional “Zef Lush Marku”.
Pas gjimnazit “Zef Lush Marku” testimi vazhdoi edhe në shkollën e mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov”. Këtu u testuan 95 nxënës, që të gjithë dolën negativ.
Në përgjithësi, Ministria e Shëndetësisë do të kryej skrining në 364 shkolla fillore dhe 109 të mesme ku do të përfshihen 8.178 nxënës. Në shkolla të caktuara disa prind kanë refuzuar testimin e fëmijëve me arsyetimin se fëmijët nuk duhet testuar nëse nuk kanë simptoma të virusit korona.
Melihate Rustemi








