Dua Lipa përzgjedh 3 futbollistë shqiptarë në skuadrën e saj në FIFA 21
Përdoruesit e “FIFA 21” prej rreth një muaji mund të luajnë si Dua Lipa, e cila është bërë pjesë e lojës, sikundër na kishte paralajmëruar muaj më parë.
Përveç saj, disa të famshëm të tjerë janë bashkuar me modalitetin ‘FIFA Volta’. Dua, e cila publikoi albumin e saj më të ri ‘Future Nostalgia’ këtë vit, tani paraqitet së bashku me Lewis Hamilton, David Beckham dhe DJ Snake.
Versioni i gjeneratës së ardhshme të FIFA 21 (PS5 dhe Xbox Series X) u lançua në 4 dhjetor, ndërsa edicioni i përmirësuar i PC do të vijë vitin e ardhshëm. Lojtarët që zotërojnë versione të gjeneratës aktuale të lojës gjithashtu do të kenë të drejtën e një abonimi falas të gjeneratës së ardhshme.
Ndërkohë, Dua ka përzgjedhur njëmbëdhjetëshen e saj në FIFA dhe si një person që e do shumë vendin e saj, ajo ka bërë pjesë të saj 3 futbollistë shqiptarë, 2 prej të cilëve luajnë për Kombëtaren e Kosovës dhe njëri për Zvicrën.
Bëhet fjalë për Milot Rashica, Amir Rrahmani dhe Granit Xhaka. Bashkë me ta, në formacionin e këngëtares janë: Alisson, Ferdinand, Van Dijk, Arnold, Saka, Phillips, Maradona dhe Aubameyang.
Ka qenë faqja e EA Sports FIFA ajo e cila ka publikuar formacionin e përzgjedhur nga Dua jonë në rrjetet sociale, duke na bërë edhe një herë super krenarë për të.