Ende asnjë vendim për vitin e ri shkollor, Carovska: Palët do të njoftohen me kohë

Ministrja e arsimit, Mila Carovska sërish nuk saktësoi se në çfarë forme do të filloj viti i ardhshëm shkollor 2021-22. Sipas Carovskës akoma është herët të merret një vendim përfundimtar. Së pari duhet të realizohet matura shtetërore dhe viti shkollor të përmbyllet në mënyrë të sigurt. Ajo shtoi se prindërit, nxënësit dhe institucionet arsimore në kohë do të njoftohen pavarësisht vendimit që do të mirët.

Nëse keni përcjell punën time, për asnjë punë nuk ka pritur askush deri në momentin e fundit që të informohet. Edhe këtë vit do ta din me kohë kur dhe si do të fillojë. Kjo nuk varet vetëm nga Ministria e Arsimit, varet nga pasqyra epidemiologjike, nga qëndrimi i Komisionit për sëmundje infektive, Ministria e Shëndetësisë. Unë jam e sigurt që do të gjejmë zgjidhjen më të mirë e të mundur – deklaroi Mila Carovska, ministre e Arsimit.

Ndërsa Carovska nuk ka një vendim konkret, 44 trajnues filluan trajnimet për konceptin e ri në arsim. Këto të fundit do të duhet të përgatisin mësuesit e tjerë për fillimin e vitit të ri shkollor nga shtatori, ku klasa e parë dhe e katërt do të nis me zbatimin e konceptit të ri.

Ajo që është risi në programet e reja shkollore është se bazohet në inkluzivitet, në barazi gjinore dhe multikulturalizëm. Janë elemente të cilat futen në programet e reja shkollore dhe të cilat do të rezultojnë me fryt – u shpreh Teuta Idrizi, trajnuese.

Mes tjerash, koncepti i ri për arsim parasheh edhe digjitalizimin e teksteve shkollore për klasën e katërt. Kjo risi u shoqërua më kritika të shumta. Shoqata e arsimtarëve shqiptarë i vlerëson se mënyra digjitale e të mësuarit nuk i përshtatet kushteve me të cilat për momentin mësojnë nxënësit. Nga UNSHM-ja vlerësojnë se digjitalizimi është i rëndësishëm por jo atëherë kur duhet të kompensohet me librat e zakonshëm. Nga organizata “Zëri i shkollarëve të mesëm” përmes një shkrimi në rrjetet sociale nuk kanë përjashtuar edhe organizimin e protestave. Nga ambasada e fëmijëve “Megjashi” thonë se do të diskriminohen nxënësit me gjendje të rëndë ekonomike kur bëhet fjalë për arritje të njohurive. Ndryshimet e miratuara në Qeveri për ligjin për tekstet dhe materialet e tjera mësimore dhe didaktike parashikojnë që nxënësit e klasës së katërt deri në të nëntë dhe nxënësit e shkollave të mesme të kenë libra dhe materiale elektronike, ndërsa nxënësit nga klasa e parë deri në atë tretë të vazhdojnë me libra të zakonshëm.

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button