Është bërë përurimi i Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri

Është bërë përurimi i Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri, me të cilën nga ky vit shkollor do të mësojnë të gjithë fëmijët shqiptarë kudo që jetojnë. Abetarja unike do të përdoret nga të dyja vendet për të vegjlit në klasat e para si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se një brez i ri po fillon rrugën e dijes me një abetare të përbashkët unike, duke materializuar frymëzimin e trashëguar ndër breza që na ka mbajtur të lidhur.

“Një brez i ri shqiptar po fillon rrugën e dijes me abetaren e përbashkët unike, kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë… Qeveria jonë po punon në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë, e këtë po e bëjmë në bashkërendim me qeverinë e Shqipërisë sepse vetëm bashkë mund të shtymë përpara interesat tona për zhvillim. Fëmijëria është koha kur mbillet edhe dija edhe morali”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Ministrja shqiptare e Arsimit tha se kur ka vullnet dhe bashkëpunim të mirë, asgjë nuk është e pamundur.

“Shumë njerëz ishin skeptikë, nuk e besonin se një kohë kaq të shkurtër vetëm për 8 muaj do të mund ta realizonim këtë nismë që të gjithë vogëlushët tanë ta kenë në duar. Kjo abetare nuk është vetëm libri i parë, por kjo abetare do të fshijë kufijtë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ky është libri që do të na bashkojë më shumë – sepse jemi një komb, kemi një gjuhë”, deklaroi Evis Kushi Ministre e Arsimit në Shqipëri.

Një ditë më parë ministri i Arsimit në vend, Jeton Shaqiri paralajmëroi se Abetarja e unifikuar do të inkorporohet edhe te ne. Shaqiri tha se pas fillimit të vitit shkollor në Kosovë e Shqipëri, libri i abetares do të merret dhe do të dorëzohet për shqyrtim në Byronë për Arsim, pas çka do të vijojnë procedurat.

“Që në komunikimet e para që kam pasur me Ministrinë e Arsimit në Kosovë, në të njëjtën kohë me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri, kanë qenë procedura që kanë filluar më herët, po shihet çdo lloj mundësie ligjore, brenda ligjeve ekzistuese tona, brenda programeve mësimore, që ajo abetare të vazhdojë rrugëtimin edhe në vendin tonë”, deklaroi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button