“Eurovision” publikon fotografitë e Anxhela Peristerit me veshje kombëtare

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Anxhela Peristeri është ajo që do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në “Eurovision”. Kënga që është përzgjedhur fituese në Festivalin e RTSh-së dhjetorin e vitit që lamë pas, mban titullin “Karma”, e cila do të prezantojë shtetin shqiptar në festivalin evropian.

Së fundmi këngëtarja shqiptare, teksa është duke promovuar projektin muzikor, ka realizuar disa fotografi me veshje kombëtare. Këngëtarja, në këto foto shihet  me veshja të ndryshme tradicionale, përmes së cilave mund të themi se ka si qëllim që të transmetojë kulturën dhe origjinën shqiptare.

Faqja zyrtare e “Eurovision”-it në Instagram i ka publikuar këto fotografi të këngëtares shqiptare, duke i ndarë kështu me ndjekësit e shumtë.

“Shikoni këto fotografi mahnitëse të Anxhela Peristerit, ndërsa ajo u bën dedikime shqiptarëve në të gjithë botën”, kanë shkruar faqja zyrtare e “Eurovision”-it.

Në këtë postim vihet re se pëlqimet dhe komentet kanë qenë të shumta nga fansat e “Eurovision”-it nga mbarë Evropa, të cilëve duket se iu kanë pëlqyer shumë fotot e artistes  me veshje tradicionale shqiptare.

Kujtojmë se Anxhela Peristeri u bë kështu fituesja e festivalit të 59-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.

Juria, e cila përbëhej nga Luan Zhegu, Vasil Tole, Zana Shuteriqi, Ramë Lahaj, Preç Zogaj, Kastriot Çaushi dhe Andri Xhaho vendosi “Karma”, si më të mirën kompozimin muzikor nga Kledi Bahiti dhe tekstin nga Olti Curri.

LEXO EDHE:

Back to top button