Familja Dudushi kanë në plan që së shpejti të jenë gjashtë

Alban Dudushi dhe Bieta Sulo janë një nga çiftet më të dashura të showbizit shqiptar, por daljet publike i kanë shumë të rralla së bashku. Së fundmi, ata kanë zhvilluar një intervistë me revistën “Living”, ku kanë folur rreth shumë detajeve interesante mbi familjen e tyre.

- Advertisements -

Jeni kuriozë se cili është sekreti që e ruajnë raportin e tyre njësoj si para 15 vitesh? Albani thotë se ata nuk e shohin njëri-tjetrin në raportin “burrë-grua”, por janë ende të dashur. Përveç kësaj, Bieta shton edhe faktin se në punë nuk flasin kurrë për biseda shtëpia dhe në shtëpi nuk flasin për punën.

“Ka një sekret pse e ruajmë këtë raport njësoj si para 15 vitesh. Unë Bietën nuk e kam grua, por të dashur. Ne jemi të dashur. Ka  edhe një sekret tjetër. Në punë nuk kemi bërë kurrë biseda shtëpie dhe në shtëpi nuk bëjmë biseda pune.”

Pas 20 vjetësh moderatori i dashur i mbrëmjeve të vona shqiptare, la ekranin e “Top Channel”-it, për ta zhvendosur karrierën e tij në “Vizion Plus”, me programin e tij më të ri “Spotlight”. Kjo lëvizje i ka ndikuar të dy pasi ishin mësuar pranë njëri-tjetrit me vite të tëra. Por, Bieta duket se po e përjeton pak më shumë pasi siç tregon ajo vendi i Albanit në Top Channel ka mbetur bosh.

“Mëngjesin vazhdojmë ta kemi të pandarë, Jemi bashkë në shtëpi, bëjmë kapuçinot, brioshët, bëjmë gati djalin për në kopsht, pastaj ndahemi për në punë. Më duket se unë jam ajo që e ndiej më shumë këtë ndarje sepse kam mbetur në të njëjtin vend dhe e ndiej mungesën aty. Duke qenë në një ambient të ri, Albani është i fokusuar në punë, ndërsa për mua ka ngelur vendi bosh. I kemi pasur edhe zyrat ngjitur(qesh). Më mungon… Dikur i bija murit të zyrës dhe e thërrisja ‘Alban!’”.

Largimi i Albanit nga Top Channel shkaktoi jo pak zhurmë këtë vit. Kjo pasi ai mbetet një ndër themeluesit dhe figurat emblematike të këtij televizioni, por ka treguar se kishte ardhur koha për këtë ndryshim në karrierë.

“‘Top Channel’-i për mua ishte pasion. Isha ndër njerëzit e parë aty dhe i njoh të gjitha hallkat që ka televizioni. Kur ke një marrëdhënie të tillë intensive profesionale, por edhe shpirtërore, në momentin që shkëputesh krijon përjetime. Këto përjetime kanë ardhur dalëngadalë dhe jo kur vendosa të shkëputesha. Kështu që, ishte çasti të ikja që andej, për të krijuar një hapësirë tjetër dhe besoj që e gjithë kjo përvojë 20-vjeçare e kishte përmbyllur ciklin, për të filluar një përvojë të re. Jam krenar për atë që kam bërë aty, kam një përvojë shumë të pasur në atë televizion, por ishte çasti që të bëja një kapërcim në karrierë.”

Pranë çiftit dhe vëllait të vogël, është gjithmonë Joelle, vajza e Albanit nga martesa e tij e parë. 16-vjeçarja është në çdo çast të rëndësishëm në familje, në festa dhe udhëtime. E gjen të lumtur krah të atit dhe të qeshur pranë Bietës. Madje ndërsa po realizohej shërbimi fotografik për kopertinën e revistës “Living”, Joelle, në një çast të afërt mes Albanit dhe Bietës, i kërkoi të atit ta puthte partneren.

Çifti i moderatorëve të njohur, një prej më të fortëve në ekranet shqiptare, duket se e ka të plotësuar portretin familjar: me Kroin, Joellen, dhe me qenushin e tyre Charlie, i cili është shoku më i mirë i Kroit. Por ata kanë zbuluar se kanë plane që ky portret të zgjerohet me një të gjashtë. Bieta rrëfen se ka shumë dëshirë që të kenë edhe një fëmijë tjetër.

“Madje do të kisha dashur tre fëmijë, por meqë e kemi nisur vonë, i them Albanit, po e bëjmë me hile. E nisim numërimin nga Joelle. Po të mos kisha këtë ngarkesë pune, do ta kisha nisur tani beben e dytë. Do të doja të ishte vajzë, por kam një bindje që do të jetë djalë, sepse e shoh veten nënë djemsh.”

LEXO EDHE:

Back to top button