Formohet grup pune për ligjin e pasurisë, Zaev: Kërkoj zgjidhje evropiane

Grupi punës në Qeveri ka nisur me përgatitjen e Ligjit për deklarimin e pasurisë. Nga kabineti i zëvendëskryeministrit për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski thonë se në grup janë përfshirë ekspertë të huaj, vendas dhe institucionet relevante shtetërore si: Drejtoria e të Ardhura Publike, Policia Financiare, Drejtoria e Zbulimit Financiar, Komisioni kundër korrupsionit etj. Në studimin e fizibilitetit për bazë janë marrë praktikat nga Lituania, Britania e Madhe dhe Serbia. Qëllimi i ligjit është tatimi ndaj pasurisë së fituar, ndërsa efekti i tij mendohet të jetë konfiskimi i pasurisë së paarsyetuar. Limiti i përfitimit mendohet të jetë mes 15 dhe 20 mijë euro të cilat duhet filtruar në institucionet e parapara sipas ligjit. Nga kabineti i Nikollovskit thonë se ideja e tyre është që në ligj të përfshihen funksionarët dhe qytetarët.

- Advertisements -

Përcaktimi ynë është që ligji t’i përfshijë funksionarët publik aktual (të zgjedhur dhe të emëruar), ish funksionarët dhe qytetarët. Megjithatë forma përfundimtare e ligjit do të varet nga mendimi i ekspertëve – thonë nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit për luftë kundër korrupsionit.

Dilema e cila e sipas burimeve tona akoma mbetet temë diskutimi në grupin e punës është mbi institucionin bartës të procesit. Mendimi i ekspertëve, bazuar në praktikat në Serbi është që duhet të jetë Drejtoria e të Ardhurave Publike, por nuk mungojnë as propozime që shuma të përafërta me limit minimal ligjor të jenë element hetimi në Policinë Financiare ose Drejtorinë e Zbulimit Financiar. Kryeministri Zoran Zaev kërkon që zgjidhja ligjore të përkojë me standardet Evropiane, por edhe të gjej zbatim në Maqedoni të Veriut.

I frymëzoj të punojnë shpejtë dhe në mënyrë efikase që të kemi një zgjidhje ligjore Evropiane të zbatueshme në Maqedoni të Veriut dhe me rezultate konkrete. Nuk di më shumë hollësi nga puna e grupit sepse procesin e udhëheq zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit – u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Propozimi mendohet të jetë gati në gjysmën e dytë të muajit qershor, kur edhe pason faza e debatit publik dhe konsultimit të ligjit me partitë politike. Subjektet politike deri në këtë fazë nuk janë përfshirë në proces. Akoma nuk dihet nëse ligji do të propozohet si pjesë e ligjeve sistematike i cili në Kuvend do të kërkonte miratim prej 2/3 nga votat e përgjithshme, apo do të jetë ligj i cili do të miratohet me shumicë të thjeshtë. Për këtë nismë nuk janë informuar as qytetarët e as komuniteti i biznesit.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button