Fushata e imunizimit në Greqi, liderët politikë e fetarë marrin të parët vaksinën

Liderët shtetërorë dhe fetarë në Greqi, morën dozën e parë të vaksinës së Pfizer dhe Biontech të dielën, në ditën e parë të fushatës së imunizimit në masë në Bashkimin Europian, e pagëzuar edhe si, “fillimi i fundit të pandemisë”.

Më herët, kryeministri dhe presidenti grek, u vaksinuan në publik, për të përcjellë mesazhin se vaksina është e sigurt dhe efektive.

“Shkenca bëri punën e vet dhe ne duhet të bëjmë tonën tani”, u shpreh shefi i shtabit të Mbrojtjes Kombëtare, Kostantinos Floros.

Maria Theodoridou, shefe e Komisionit Kombëtar të Vaksinimit, ishte gjithashtu mes të parëve që u vaksinua. “Sot, është një ditë gëzimi për të gjitha vendet që po nisin programin e vaksinimit, pasi shënon fillimin e fundit të pandemisë”, u shpreh ajo.

Ish-ministri i financave, Janis Varufakis, e cilësoi vaksinën si zgjidhjen e duhur për të gjithë, por tha se ndihej pak në turp, që për disa muaj vetëm pak njerëz do të mund ta merrnin atë.
Si pjesë e programit, që Greqia e ka pagëzuar me emrin “Liria”, prioritetin e kanë fillimisht, stafi i spitaleve dhe punonjësit shëndetësor në qendrat e kujdesit afatgjatë. Një infermiere dhe një pensionist ishin dy personat e parë që morën dozën e parë të vaksinës së Pfizer dhe Biontech në Greqi. Autoritetet thanë se deri në fund të dhjetorit pritet të sigurohen afërsisht 84 mijë vaksina.

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button