Guterres: Lufta krim dhe absurditet i shekullit 21

Guterres: Lufta krim dhe absurditet i shekullit 21

" "

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, luftën në Ukrainë e cilësoi si një “absurditet të shekullit 21”. Ai sot vizitoi qytezën Borodjanka afër Kievit, ku janë gjetur shenja të torturës, pas largimit të trupave ruse nga ai rajon, shkruan Alsat.

“Imagjinoj familjen time në njërën prej këtyre shtëpive që tani është e shkatërruar dhe e zezë. Shoh mbesat e mia duke ikur në panik. Lufta është absurditet në shekullin 21. Lufta është djallëzore. Nuk ka mundësi që një luftë të pranohet në shekullin 21”, deklaroi Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Largimi i forcave ruse nga rajoni afër Kievit nxori në pah të dhëna për vrasje brutale, torturë, si dhe varreza masive. Kombet e Bashkuara i kërkuan Gjykatës Ndërkombëtare Penale që të kryejë hetime për të vërtetuar nëse janë kryer krime lufte.

“I bëj thirrje Federatës Ruse që të pranojë dhe të bashkëpunojë me këtë Gjykatë. Mirëpo kur flasim për krime lufte, ne nuk duhet të harrojmë që krimi më i madh është vetë lufta”, deklaroi Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Autoritetet ukrainase ndërkaq njoftuan se forcat ruse i kanë intensifikuar luftimet në pjesën lindore të vendit.

“Armiku ka shtuar intensitetin e operacionit pushtues. Pushtuesit rusë kanë intesifkuar lutftimet thuajse në të gjithë vendin. Aktivitetet më të mëdha janë shënuar në Slobozhansk dhe Donjeck”, u shpreh Oleksandër Shtupun, zëdhënës i Ushtrisë së Ukrainës.

Autoritetet në Mariupol, qytetin port më të prekur nga lufta, kanë alarmuar për rrezikun nga përhapja e epidemive për faktin se mijëra trupa kanë mbetur të pambledhur. Ndërsa forcat ruse vijojnë bombardimet në shumë zona të Ukrainës, Shefi i NATO-s Stoltenberg tha se aleatët po përgatiten të dërgojnë armë të standardeve të larta në Ukrainë. Në Gjermani Bendastagu votoi për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë. Mbështetjen e Ukrainës me armë nga Perëndimi, Kremili sërish e cilësoi si kërcënim për sigurinë e kontinentit evropian. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button